07:21 / E Hënë, 29 Mars 2021 / C E

Mjekët francezë paralajmërojnë për mbingarkesë katastrofike të spitaleve nga Covid-19

Mjekët e urgjencës në Paris thonë se shtimi i infeksioneve me koronavirus mund të mbingarkojnë së shpejti kapacitetet spitalore për t’u kujdesur për të sëmurët, çfarë mund t’i detyrojë ata të zgjedhin se cilin pacient të trajtojnë.

Paralajmërimet shqetësuese u bënë të dielën përmes shkrimeve editoriale në gazeta të nënshkruara nga dhjetëra mjekë të Parisit. Thirrjet alarmante vijnë ndërsa Presidenti Emmanuel Macron ka mbrojtur me forcë vendimin e tij për të mos mbyllur përsëri tërësisht Francën si një vit më parë.

Që nga janari, qeveria e zotit Macron ka zbatuar orën policore gjatë natës në mbarë vendin si dhe ka vënë kufizime të tjera në përpjekje për të frenuar shkallën e lartë të infektimeve.

Mjekët po ngrenë zërin për një mbyllje të plotë të vendit dhe paralajmërojnë se ata do të detyrohen të zbatojnë “metoda katastrofike mjekësore” së shpejti, sapo rastet e infektimeve të arrijnë kulmin.