15:36 / E Diele, 25 Shtator 2022 / MSH

Mjekët heqin 46 bateri nga stomaku i një gruaje

Mjekët në Irlandë gjetën dhe hoqën 46 bateri nga stomaku dhe zorrët e një gruaje 66-vjeçare, e cila kishte gëlltitur gjithsej 55 të tilla.

Një raport i incidentit, i botuar të enjten në Gazetën Mjekësore të Irlandës, detajoi mbërritjen e pacientes në Spitalin Universitar St. Vincent, ku gjatë kryerjes së rrezeve X u zbuluan objektet e huaja në trupin e saj.

Për mrekulli, asnjë nuk po pengonte traktin e saj gastrointestinal, sipas Live Science.

Mjekët fillimisht vendosën të prisnin me shpresën se ajo do të largonte bateritë nga trupi i saj në mënyrë natyrale. Edhe pse ajo nxori ​​pesë bateri AA në javën e parë, rrezet X pasuese treguan se shumica ishin ende të mbërthyer brenda dhe gruaja filloi të përjetonte dhimbje barku.

Pas kësaj, mjekët e operuan dhe i hoqën me sukses 46 prej tyre.

Për fat të keq, 4 bateri mbetën ende të bllokuara në zorrën e trashë, shkruan Huff Post.

“Për aq sa dimë, ky rast përfaqëson numrin më të lartë të raportuar të baterive të gëlltitura në një moment të vetëm në kohë”, thuhet në artikullin e revistës.