21:29 / E Mërkurë, 13 Maj 2020 / indeksADMonline

MLS, drejtuesit planifikojnë një zgjidhje tepër origjinale

Në një kohë kur të gjithë po bëjnë çmos për t’u kthyer pak e nga pak në normalitet, për të rifilluar aktivitetet futbollistike në Shtetet e Bashkuara drejtuesit po shikojnë mundësitë për të gjetur zgjedhje alternative.

Përtej Oqeanit Atlantik në këtë pjesë të rruzullit virusi COVID-19 vazhdon të ketë forcë dhe Shtetet e Bashkuara përbëjnë padyshim edhe vendin më të prekur nga pandemia e koronavirusit.

Situata edhe aty ka shenja të qarta përmirësimi, madje në shtete të ndryshme guvernatorët kanë reaguar në mënyrë të ndryshme.

Shumë shtete në këtë vend kanë hequr masat shtrënguese, ndërsa shumë të tjerë po mendojnë për të lehtësuar sadopak situatën.

Papunësia në Shtetet e Bashkuara ka prekur nivele të frikshme, megjithatë kjo situatë e jashtëzakonshme ka influencuar ndjeshëm edhe në sport.

Mbi të gjitha nga pandemia e koronavirusit është prekur pikërisht futbolli, që në Major League Soccer u ndal pas vetëm dy javëve kampionat.

Drejtuesit kanë menduar për të zbutur sadopak këtë gjendje të vështirë duke menduar madje edhe për zgjidhje vërtet origjinale.

Në Ligën e Amerikës së Veriut ku marrin pjesë 26 skuadra gjithsej, 23 nga Shtetet e Bashkuara dhe 3 nga Kanadaja ekipet ndahen në dy Konferenca, Lindje dhe Perëndim me nga 13 klube gjithsej.

Drejtuesit e MLS-së kanë ndërmend t’i grumbullojnë të 26 klubet pjesëmarrës në Florida, në Qytetin e Orlandos.

Ky kompeticion ka zhvilluar vetëm dy javë në total dhe takimi I fundit u luajt më datë 9 mars në Kaliforni, ku Los Angeles FC barazoi në shtëpi me rezultatin spektakolar 3-3 me ekipin tjetër Philadelphia Union.

Plani I drejtuesve është për t’i grumbulluar të gjithë, në regjim karantine në një nga resortët gjigantë që ndodhen pranë zonës në Disney World.

Idea e zyrtarëve të lartë të Ligës Profesioniste në MLS sipas prestigjiozes Washington Post është që të 26 klubet që do të rivalizojnë për titullin e sivjetshëm në Major League Soccer ta kryejnë fazën përgatitore pikërisht në Orlando.

Një grumbullim I tillë masiv larg shtëpisë do të shërbente për të distancuar për disa muaj futbollistët nga familjarët e tyre, me qëllim për të rifilluar sa më shpejt që të jetë e mundur sezonin.

Edicioni I sivjetshëm I këtij kampionati në Amerikën e Veriut është një edicion jubilar, pasi bëhet fjalë për sezonin e 25 në Major League Soccer dhe drejtuesit në MLS po mendojnë pikërisht për një zgjidhje të tillë.

Në Kontinentin e Vjetër shumë kampionate po bëhen gati për të rifilluar aktivitetet respektive, ndërsa në këtë pjesë të globit do të nevojitet kohë.

Plani është që të zhvillohet një herë faza përgatitore në Florida dhe më pas të gjithë futbollistët të zhvendosen në qytetet e tyre të origjinës, për të filluar ndeshjet, me shumë gjasa me dyer të mbylluara dhe pa spektatorë.

Lojtarët, trajnerët, apo qoftë edhe pjesëtarët e tjerë të stafeve respektive në këto 26 klube bëhen rreth 1.000 persona gjithsej, sidoqoftë sipas gazetës së njohur kryeqytetase idea është që i gjithë ky grup të qëndrojë në masa të forta karantine në një resort shumë të madh të zonës për një periudhë të pacaktuar kohe.

Deri tani nuk janë shprehur ende futbollistët apo dhe sindikata e lojtarëve, kështu që pritet me kuriozitet reagimi i të gjitha palëve.

Mos i humb