Mogherini: Dialogu Kosovë-Serbi, thelbësore për të dyja vendet
Bashkimi Evropian ka publikuar sot Strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me ç’rast u janë bërë të qarta kriteret që duhen plotësuar për bërë pjesë e BE-së.
Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se me këtë Strategji secilit vend i bëhen të qarta kriteret që duhen plotësuar dhe po ashtu përmes kësaj strategjie ka një perspektivë të ndarë për secilin shtet sipas të arriturave.
Ajo tha se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë bërë një zgjidhje të qartë dhe ajo është perspektiva evropiane.
“Sot jo vetëm që kemi aprovuar Strategjinë por kemi hapur një rrugë të caktuar që gjatë muajve të ardhshëm na qojnë në hapa tjerë. Muajt e ardhshëm do të jenë intensiv, tejet ambicioz”, tha ajo, transmeton telegrafi.com
Mogherini ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo tha se dialogu i ardhshëm Kosovë-Serbi është thelbësore për të dy vendet dhe ka të bëjë me raportet e ardhshme edhe për rajonin.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së tha se është e inkurajuar që të dy presidentet, ai i Kosovë dhe i Serbisë kanë filluar një fazë të re që shpie drejt normalizimit të raporteve.
“Mendoj se kjo mund të realizohet në mënyrë të suksesshme nëse tregohet lidership i mirë”, tha ai.
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn tha se kjo strategji është një rast historik për rajonin, që sipas tij i takon Evropës.
“Ky rajon duhet ta ketë perspektivën në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Hahn theksoi se shtetet duhet t’i përmbushen kriteret që vihen gjatë procesit integrues dhe vendet në Ballkanin Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëri tjetrin në këtë proces.
“Bashkimi Evropian nuk pranon anëtarë që nuk i kanë zgjidhur konfliktet ose çështjet bilaterale”, tha ai.
Ai tha se kjo është një motivim për Kosovën në dialogun me Serbinë.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi nuk është interes vetëm i Serbisë, por edhe i Kosovës në rrugën drejt BE-së.