15:51 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

“Mohimi i krimeve nga Serbia duhet të jetë alarm për Evropën e Amerikën”

Ai që i mohon krimet që ka bëtë është duke e përgatitur terrenin për t’i bërë prapë. Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në tubimin përkujtimor në nderim të 183 dëshmorëve të komunës së Pejës.

Haradinaj tha se mohimi i krimeve nga Serbia duhet të jetë alarm për Evropën e Amerikën.

“Mohimi i krimeve duhet me qenë alarm edhe për Evropën edhe për Amerikën, ai që i mohon po e bën terrenin me i bë prapë, nuk guxon bota e qytetëruar, ajo që u ngrit në këmbë e i bombardoi Serbinë, me ja lejuar udhëheqjes së Serbisë më i mohuar ato krime, është tepër e padrejtë. I bëjë thirrje krejt kryeqyteteve të BE-se edhe Uashingtonit zyrtar që të mos lejojmë udhëheqjen e  sotme të Serbisë me i mohuar krimet”, ka thënë ai.

Keu i Qeverisë së Kosovës, ka kujtuar si ka qenë Peja para 20 viteve. Sipas tij, është një dallim i madh me Pejën që është bërë tani.

“Në vitin 1999 në qershor kur kam ardh këtu, e kam parë Pejën shkrum e hi, veç era i vijke liri, era e shkrumit, djegies e krejt shkatërrimeve nuk u nijke por u nijke era e lirisë. Është një dallim  i një Peje çfarë e ka synuar pushtuesi atëherë e të një Peje çfarë e ka krijuar liria, pushtuesi e ka pas qëllim Pejën për bazë të vetën të fortë, për një adresë të vetën vazhdimësi, për një pikë që na mban në kontroll gjatë e përherë, po bijtë e bijat juaja të Pejës, të rrafshit e të Rugovës e kanë ndryshuar..”.

Evropa duhet të dijë se është interes i të dy palëve që edhe Kosovën me pa pjesë të saj, tha Haradinaj.

Kosova, sipas tij, i takon një bote të udhëhequr nga Amerika.

“Nuk është marre me  thënë se ne jemi këtu, jemi Evropë, i takojmë Evropës, edhe Evropa duhet me dit se jemi Evropë se është interesi i dy palëve, jo me pa me sy tjetër, njëkohësisht edhe në botë e dijmë kujt i takojmë, i kemi thjeshtësuar gjërat, ne i takojmë botës që udhëheq Amerika, e pse kësaj bote, sepse 24 mars ’99 Amerika me këtë botë na doli në krahë në kohë të vështira”, ka shtuar ai. /Indeksonline/