00:45 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

Momente paniku- Burri rrëzon gruan përtokë sapo nisin dridhjet e tokës

Tërmeti i mbrëmjes së sotme, edhe pse nuk pati forcën për të shkaktuar dëme, është shoqëruar me ankth dhe panik nga qytetarët e shumtë.

Menjëherë kanë dalë në rrugë me mijëra qyetarë, sidoemos në Tiranë dhe Durrës, qytetet kryesore më të populluara pranë epiqendrës së tërmetit me magnitudë 4.9.

Autostrada Tiranë-Durrës si dhe rrugët kryesore janë bllokuar nga trafiku.

Shumë qytetarë raportohen se janë larguar në qytete të tjera, teksa rruga nga Tirana në Elbasan ka njohur lëvizje të pazakonta mbrëmjen e sotme.

Por edhe brenda në qytet, frika ka bërë që njerëzit të dalin në rrugë.

Foto  dhe një video në Durrës tregonte momentin e tërmetit, kur një çift ndodhej në një supermarket dhe burri nga nxitimi rrëzoi gruan e tij për të dalë sa më parë jashtë.

Një i moshuar (foto kryesore) në Tiranë nga frika e tërmetit ka dalë në rrugë dhe do të vijojë që të qëndrojë derisa të qetësohet sipas tij, situata, madje ai thotë se pas daljes nga banesa e ka “braktisur” edhe gruaja. “Ka pasur lëkundje, por kjo ishte e fortë na trembi, kemi edhe pallatet që janë dëmtuar, të shpëtojmë kokën. Dola jashtë të pres, një orë, dy orë sa të qetësohet”, tha ai.

“U trembëm, pallati është një cikë i dëmtuar, dhe pak do. Në shtëpi kam edhe gruan, e luta hajde zbresim, por ajo nuk doli. Unë do të vijoj që të qëndroj jashtë dy ore tre orë jashtë. Edhe do të shkoj në shtëpi. Natyra ka rregullat e veta” tha ai, duke shtuar se ka gjetur këtë mënyrë për t’u kujdesur.