14:44 / E Hënë, 24 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Monografia për identitetin kosovar, një studim i rëndësishëm i profesoreshës Nura

Këtë javë del nga shtypi libri i profesoreshës së regjisë, Elmaze Nura, një monografi për identitetin kulturor të Kosovës pas pavarësisë.

“Identiteti kulturor i Kosovës”, është në gjuhën angleze. Sipas recensentëve, ky është një studim i rëndësishëm për identitetin kulturor të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri sot.

Duke bashkëpunuar me libra teorikë e duke marrë shembuj praktikë nga emblema (flamuri kombëtar dhe shtetëror) e realizuar intervista me personalitete publike rreth identitetit kulturor dhe shtetëror të Kosovës, Nura përfshinë një mori fenomenesh të zhvillimit të identiteteve dhe simboleve socio-kulturore në kontekstin aktual të historisë, antropologjisë dhe psikologjisë.

Ky libër, shkruan recensenti Emin Emini, i cili është profesor në Fakultetin e Arteve, ngre disa pyetje thelbësore, siç janë kombi dhe nacionalizmi, përkatësia etnike dhe qytetaria dhe, mbi të gjitha, identiteti dhe kultura, të cilave u jep përgjigje nëpërmjet shembujve praktikë dhe teorikë.

Recensenti tjetër, profesor Dashamir Berxulli, argumenton se monografia e profesoreshës Elmaze Nura jep kontribut domethënës dhe padyshim origjinal në dinamikën, shtresimet e identitetit dhe simbolet e lidhura pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Librin e botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, nga java e ardhshme, e gjeni në libraritë “Artini”, “Dukagjini” dhe “Buzuku” në Prishtinë dhe në librarinë “Altera” në Prizren.