11:19 / E Hënë, 03 Maj 2021 / Blerim

Morina e kujton kështu 5 vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA: Momenti i krenarisë!

Sot bëhen 5 vjet që Kosova u pranua në shtëpinë e madhe të futbollit Evropian, UEFA.

Pikërisht me 3 maj të vitit 2016 vendi ynë u pranua me të drejta të plota në organizatën më të madhe të futbollit në botë, shkruan IndeksOnline

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime, në kongresin e UEFA-s, Kosova u pranua si antare e 55-të e kësaj organizate.

Për këtë moment historik, IndeksOnline ka biseduar me trajnerin e Arbërisë, Arbnor Morinën i cili tha se ishte momenti i lumturisë dhe krenarisë pranimi i Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë.

“Momenti i sublimit të aspiratave të kamotshme si dhe sakrificë e shumë gjeneratave”, tha fillimisht tekniku i Arbërisë.

“Momenti i lumturisë dhe krenarisë si dhe momenti i hapjes së rrugëve për të rinjtë të luajnë me moshataret e tyre në Evropës si të barabartë”, vazhdoi trajneri.

Morina, thotë se ka ndryshuar futbolli kosovar por jo edhe Infrastruktura.

“Kosova ka ndryshuar në shumë gjëra, por lë për të dëshiruar edhe me tej infrastruktura në zhvillimin e ndeshjeve”, tha ai.

Ai gjithashtu ka një urim të veçantë për të gjithë ata që kontribuan për pranimin e vendit ton në UEFA.

“Të gjithëve urime ky përvjetor, të gjithë atyre që u sakrifikuan, të rinjve suksese në punë dhe gara sportive”, tha Morina.