12:46 / E Hënë, 18 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Morina: Kosova do të kualifikohet në Evropian, këto ishin të “metat” e kualifikimeve

Kosova ka mbyllur ciklin kualifikues për Euron 2020, duke përfunduar në vendin e tretë me 11 pikë, pas Anglisë dhe Çekisë.

Megjithatë ëndrra për kualifikim ende nuk është shuar pasi që “Dardanët” mund të kualifikohen përmes Play-offit të Ligës së Kombeve.

Ish-trajneri i njohur, tashti drejtor sportiv te Flamurtari, Arbnor Morina, në një prononcim për Indeksonlinen e ka quajtur shumë pozitive këtë fushatë edhe pse nuk kemi arritur të siguronim finalet e Europianit.

Ai ka thënë se mungesa e zëvendësimeve dhe lëndimet në kulmin e kampionatit kanë bërë që në fund të kemi rezultate jo shumë të mira.

“E vlerësoj si fushatë pozitive, sepse është bërë një komponim i mirë i ekipit. Problemet kan shfaqur me lëndimet e futbollistëve kyçë dhe zëvendësimet kanë qenë të pakta”, ka thënë Morina.

“Pika më e fortë e skuadrës ka qenë kompaktësia derisa më e dobëta numri i vogël i zëvendësimeve në pozita të caktuara”, tha ndër të tjerash trajneri.

Morina ka shtuar se me Maqedoninë nuk do të jetë lehtë, por Kosova ka gjasa të kualifikohet.

“Mendoj se me Maqedoninë nuk do të jetë lehtë, por besoj në këta djem dhe se do të shkojmë më tej, duke pritur fituesin e ndeshjes Bjellorusia – Gjeorgjia. Finalja me kënd të jetë do të jetë shumë e fortë”, ka përfunduar Arbnor Morina.

Kosova do të luajë në muajin mars me Maqedoninë, derisa nëse arrin fitore takohet me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi. /IndeksOnline/