11:00 / E Enjte, 09 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Morina: Shpendin do ta dëmtojë koalicioni me AKR-në!

Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të balotazhit në Kosovë.

Tashmë kanë filluar të bëhen zyrtare edhe koalicione në komuna të ndryshme.
Në kryeqytet, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka arritur marrëveshje për koalicion  me Selim Pacollin e AKR-së, ndërsa sipas burimeve të Indeksonline tashmë është arritur marrëveshje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.

Analisti, Bajrush Morina në një prononcim për Indeksnline thotë se nuk beson që këto koalicione do të ndikojnë shumë tek partitë të cilat do përballen në balotazh.

Sipas tij, në Prishtinë do ketë balotazh mes Arban Abrashit dhe Shpend Ahmetit, e jo balotazh mes koalicioneve.

“Në Prishtinë mendoj se do të kemi balotazh mes Arban Abrashit e Shpend Ahmetit e jo balotazh mes koalicioneve politike. Votuesit e kanë shprehur preferencën e tyre politike më 22 tetor, janë zgjedhur asambleistet e partive dhe tash pritet vetëm zgjedhja e kryetarit të komunës në Prishtinë dhe kryetarëve në komuna që janë në balotazh”, ka thënë Morina.

Morina thotë se Ahmetin më shumë do e dëmtojë koalicioni me AKR-në, ndërsa tek LDK-ja nuk do ndikojë shumë marrëveshja e arritur me AAK-në.

“Shpend Ahmetin më shumë do ta dëmtojë koalicioni me AKR se sa që do ta ndihmojë. Mbi 90% e anëtarësisë së AKR janë ish-LDK, ndërkaq LDK në nuk do ta ndihmoj aq shumë anëtarësia e AAK-së sepse nuk janë shumë në numër dhe jo të gjithë e dëgjojnë Arbër Vllahiun se kë do ta votojnë. Pra gara mbetet mes Arbanit e Shpendit e jo mes LDK VV apo LDK AAK e VV AKR”, ka shtuar më tej ai.

Ndryshe, më 19 nëntor do të mbahen zgjedhjet në Kosovë, në komunat të cilat kanë mbetur në balotazh në zgjedhjet e 22 tetorit./Indeksonline/