11:14 / E Enjte, 02 Shtator 2021 / AR

(Mos)përgjegjësia e shtetit në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Shkruan: Leotrim Himaj

Rrethanat e krijuara sё fundmi nё raport me numrin nё shtim tё rasteve tё dhunёs nё familje, pёrtej njё diskutimi shoqёror duhet tё ngrenё para sё gjithash njё diskutim tё mirёfilltë mbi pёrgjegjёsinё e shtetit nё raport me mbrojtjen e jetёve brenda juridiksionit tё tij.

Rasti i kohёve tё fundit nё Ferizaj, por jo vetёm ky, ka shpёrfaqur njё neglizhencё tё konsiderueshme institucionale, e cila, nё njё sistem me sundim tё ligjit, do tё nxirrte shtetin dhe institucionet e tij pёrgjegjёse pёr veprime a mosveprime tё cilat po cenojnё jetёt e njerёzve nё pozita mё tё ndjeshme, nё veçanti tё grave.

E drejta për jetë është e drejtë absolute e mbrojtur me të gjitha aktet ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) dhe akte të tjera, si dhe me akte të brendshme të Kosovës si Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Kodi Penal.

KEDNj në nenin 2, paragrafin 1 të saj ka paraparë që: “E drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i merret jeta qëllimisht, me përjashtim të rastit kur zbatohet një vendim gjyqësor me vdekje, pas dënimit për një krim për të cilin ky dënim është parashikuar me ligj”.

Ndërsa Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 25, paragrafin 1 përcakton se: “Secili individ gëzon të drejtën për jetën”.

Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) neni 2 përmban dy lloje të obligimeve substanciale. Obligimi i parë substancial është që shteti përmes ligjit të mbrojë të drejtën për jetën, kurse obligimi i dytë i kësaj natyre ka të bëjë me ndalesën e marrjes së qëllimshme të jetës.

Kurse në aspektin procedural, Konventa e obligon shtetin që nё rastet e humbjes sё jetëve të kryejë një hetim efektiv mbi pretendimet për shkeljen e obligimeve substanciale që rrjedhin nga Konventa (Rasti: McCann dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar).

Nga praktika e GjEDNj-së rrjedh se shteti jo vetëm që ka një obligim për t’u kufizuar nga marrja e jashtëligjshme e jetës së dikujt, por po ashtu ka një obligim për të marrë hapa adekuatë për të mbrojtur jetët e atyre që jetojnë brenda juridiksionit të shtetit. (Rasti: Centre for Legal Resources në emër të Valentin Câmpeanu kundër Romanisë). Nga kjo rrjedhin obligimet e shtetit për të: a) ofruar një kornizë ligjore dhe b) për të marrë masa preventive në mbrojtje të së drejtës për jetën.

Meqë ky rast nuk përfshin marrje të qëllimshme të jetës nga ana e shtetit apo akterëve të tjerë shtetërorë, në vijim do të trajtojmë vetëm obligimin e shtetit për të mbrojtur individët nga përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga akterët joshtetërorë.

Edhe pse GjEDNj-ja ka konstatuar që neni 2 (E drejta për jetën) nuk mund të interpretohet si një garanci për të gjithë individët për një nivel absolut të sigurisë, kjo gjykatë ka gjetur se shteti, megjithatë, ka obligime pozitive në disa kontekste e situata.

Në raport me obligimin e shtetit për të mbrojtur individët nga përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga akterët joshtetërorë, Gjykata ka vendosur në disa raste që neni 2 përmban, në rrethana të mirë-definuara, një obligim pozitiv në anën e autoriteteve publike që të marrin masa preventive për të mbrojtur individët jeta e të cilëve është në rrezik nga veprimet kriminale të një individi tjetër (Rasti: Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar; Branko Tomashiq dhe të tjerët kundër Kroacisë).

Për shembull, Gjykata ka konstatuar që për të ekzistuar një obligim i tillë pozitiv autoritetet (shtetërore) duhet të dinin, apo është dashur ta dinin, në kohën e ekzistimit të rrezikut të vërtetë dhe të menjëhershëm për jetën e një personi të identifikuar, nga aktiviteti kriminal i një pale të tretë dhe që shteti të ketë dështuar të ndërmarrë masat brenda fushës së kompetencave, të cilat masa, gjykuar arsyeshmërisht, mund të pritet që do të eliminonin rrezikun për shkeljen e së drejtës për jetën (Rastet: Mastromatteo kundër Italisë; Paul Audrey Edards kundër Mbretërisë së Bashkuar).

Në rastin konkret në Kosovë, autoritetet e kanë ditur për nivelin e rrezikut që kanë të dyshuarit në këtë rast, sepse të njëjtët ishin duke u gjykuar për veprat penale të natyrave të ndryshme duke përfshirë veprat: “Vrasje në tentativё”, “Vjedhje e rëndё”, “Grabitje”, etj. Kësisoj, autoritetet kompetente si Policia, Prokuroria dhe Gjykata duke e ditur rrezikshmërinë e të dyshuarve nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim adekuat që të eliminonin rrezikun që mund t’i kanosej ndonjë viktime.

Për më tepër, njëri nga të dyshuarit me inicialet A.S., që nga viti 2013 i vihet në barrë vepra penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, mirëpo për këtë vepër penale ai nuk kishte dalë asnjëherë para gjykatës. Kësisoj, që nga viti 2013 lënda ndaj tij vetëm se ishte neglizhuar dhe se autoritetet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret përkundër tentimeve të shumta, me qëllim që të njëjtin ta vinin para drejtësisë.

Për të gjetur shkelje, GjEDNj-ja e gjen të nevojshme që një ankues të dëshmojë që autoritetet nuk kanë bërë gjithçka që arsyeshmërisht ka qenë e pritur të bëhet për të bërë (Rasti: Osman kundër Mbretërisë së Bashkuar).

Në të kaluarën Gjykata ka konsideruar që shteti ka një përgjegjësi për të marrë masa të tilla preventive edhe në rastet e dhunës në familje(Rastet: Branko Tomashiq dhe të tjerët kundër Kroacisë; Opuz kundër Turqisë).

Në rastin Tomashiq dhe të tjerët kundër Kroacisë, GjEDNj-ja kishte gjetur që, për shkak se autoritetet kroate kishin hapur dhe përfunduar procedura të mëparshme penale kundër kryerësit të vrasjes së gruas dhe fëmijës së tij, ato autoritete e kanë ditur për rrezikun që kryerësi ka paraqitur për viktimat.

Mund të thuhet se edhe në rastin konkret në Kosovë, autoritetet e kanë ditur për rrezikun e përgjithshëm që kanë paraqitur të dyshuarit në rastin konkret. Kjo, sepse ndaj tyre veçse ishin zhvilluar procedura penale dhe ishin shqiptuar dënime. Andaj kjo ngre edhe njё argument shtesё pёr pёrgjegjёsinё e shtetit tё Kosovёs nё kёtё rast. Kjo pёrgjegjёsi ёshtё mjaft e qartё pёr shkak tё veprimeve qё i paraprinё rastit nё fjalё e qё, pёr shkak tё neglizhencёs sё institucioneve tona, ёshtё marrё jeta e njё gruaje. Ky rast ka mundur tё evitohet sikur personat nё fjalё tё ishin nё vuajtje tё dёnimeve nё rastet e veprave pёr tё cilat ishin nё procedime penale.

Republika e Kosovёs duhet tё jetё e kujdesshme qё tё mos bёjё njё faj tё dyfisht dhe qё, pёr rastin e ndodhur, tani e tutje tё kryejë hetime tё mirёfillta, tё nxjerrё kryerësit para pёrgjegjёsisё, tё ofrojë kompensimin e duhur moral e material pёr familjen, dhe tё kryejë ndryshimet e duhura ligjore, institucionale pёr tё evituar paraqitjen e rasteve tё tilla nё tё ardhmen.

Mbi nevojën për hetime të mirëfillta në rastet e dhunës në baza gjinore, GjEDNj-ja ka gjetur që në raste të tilla autoritetet duhet të veprojnë me kujdes të veçantë në kryerjen e masave hetimore (Rasti Tërshana kundër Shqipërisë).

Ky lloj obligimi rrjedh nga neni 2 që në aspektin procedural imponon tek shtetet detyrën për të siguruar të drejtën për jetë duke vendosur një sistem efektiv të dispozitave penale për të demotivuar kryersit si dhe duke vendosur një mekanizëm ligj-zbatues për të parandaluar, ndaluar dhe dënuar shkeljen e këtyre dispozitave. (Rasti: Mustafa Tunc dhe Fecrie Tunc kundër Turqisë).

Andaj duke pasur parasysh kontekstin e përgjithshëm të rrethanave në rastin aktual, sidomos duke pasur parasysh që:

– Kryerësit e dyshuar kanë pasur një histori penale,

– Ndaj tyre janë filluar dhe vazhduar hetime penale,

– Ndaj tyre është ngritur aktakuzë dhe janë zhvilluar seanca gjyqësore,

– Ndaj tyre janë vendosur masa të sigurisë së të pandehurve në procedurë (paraburgim, arrest shtëpiak etj),

– Ndaj tyre janë hequr më vonë të njëjtat masa pa ndryshuar rrënjësisht arsyet pse të njëjtat ishin vendosur,

– Ndaj tyre nuk është zhvilluar procedurë efektive hetimore/gjyqësore e cila do të parandalonte që të njëjtët të gjendeshin në liri.

Mund të thuhet se:

1. Republika e Kosovës, përkatësisht institucionet e saj të hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit ishin në dijeni për historinë kriminale të personave në fjalë;

2. Institucionet kompetente e kanë ditur apo është dashur ta dinin për rrezikun që të njejtët persona paraqesin;

3. Institucionet kompetente, megjithatë, kanë dështuar që ndaj tyre të ndjekin një procedurë efektive që më së pakti do të garantonte që ata të mbesin në masat e sigurisë, kurse në rastin më të mirë të gjykohen dhe të dënohen (nëse do të shpalleshin fajtorë);

4. Republika e Kosovës, si përfundim, ka dështuar në mbrojtjen e së drejtës për jetën të viktimës në rastin konkret.

Nëse Kosova do të ishte vend anëtar i Këshillit të Evropës dhe nëse institucionet e vendit dështojnë për të ardhur në përfundimet e mësipërme, me shumë gjasë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke pasur parasysh praktikën e saj të deritanishme, do ta shpallte Kosovën fajtore për cenimin e nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbi bazën e dështimit për të marrë masat e duhura për të parandaluar vrasjen në fjalë. Kjo, sepse sipas totalitetit të rrethanave mund të pritej që këta persona nuk do të duhej të kishin pasur mundësi të jenë të lirë, të jenë të pambikëqyrur, e aq më pak që njëri prej tyre edhe të ketë mundësi të udhëtojë jashtë vendit.