10:07 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Moti i keq, 10 viktima në Itali. Shtyhen udhëtimet nga Shqipëria

 10 persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është shpallur i zhdukur si pasojë e motit të keq në Itali.

Dy viktima janë në provincën e Frozinones pasi një pemë i ra mbi automjetin që po udhëtonin, ndërsa një 21-vjeçar ka humbur jetën në provincën e Casertas nga rrëzimi i një peme. Dy të tjerë kanë mbetur të vdekur nga era e fortë janë identifikuar në Terracina në bregdetin e Lazios. Ndërsa një grua e moshuar ka humbur jetën në qytezën Albisola Superiore pasi u godit nga një mjet i fortë.

Mes të lënduarve është edhe një foshnje, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti ka ndodhur gjatë mesnatës ku mbi makinën në të cilën po udhëtonte foshnja dhe nëna ra një gur.

Shkollat ​​janë mbyllur në shumë qytete si Roma, Napoli dhe Genova, ndërsa gjithashtu përkohësisht është mbyllur edhe aeroporti i Genovës. Sipas mediave italiane, fluturimet nuk do të rinisin deri në orën 2 të pasdites, kur edhe pritet një përmirësim i motit.

Për të vënë situatën nën kontroll, nga autoritetet italiane janë mobilizuar rreth 5,800 forca zjarrfikëse, të cilat janë angazhuar në zonën e Ligurias, Toscanës, Lazios, Venetos, Friuli-Venezia Giulia, Lombardia dhe Piemontes.