08:44 / E Premte, 20 Gusht 2021 / OSH

Mourinho: Nuk kemi bërë merkaton që doja, të dashurat e lojtarëve do mërziten me mua

Roma arriti një fitore të vështirë sot në Conference League ndaj Trabzonspor me shifrat 2-1. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri Jose Mourinho, i cili foli edhe për merkaton dhe objektivat e ekipit.

Portugezi “qau” largimin e Dzekos dhe dëmtimin e Spinazzolas, të cilët është dashur t’i zëvendësojë në merkato. Mourinho do tituj, por paralajmëron edhe humbje në këto fillime të tij te Roma.

“Skuadra do flejë në Trigoria nga sonte për të përgatitur më pas ndeshjen me Fiorentinan. Ndoshta të dashurat e lojtarëve nuk do jenë të kënaqura për zgjedhjen time, por mendoj se është e drejtë ta bëj këtë sepse pushimet kanë mbaruar.

Futbolli luhet për të fituar tituj dhe jo vetëm për t’u argëtuar. Sezonin e shkuar ishim larg majës. Këtë verë klubi bëri një merkato reaguese, diçka që nuk ishte parashikuar, duke parë dëmtimin e Spinazzolas dhe largimin e papritur të Dzekos.

Diçka mungon, por shpresoj të vijë. Në këtë sezon do të vijnë disa humbje, por ne gjithmonë do luajmë për të fituar”, u shpreh Mourinho. /abcnews.al