17:18 / E Diele, 22 Tetor 2023 / C E

Mourinho sqaron gjithçka pas kartonit të kuq: Nuk ofendova askënd

Pavarësisht fitores në “frymën e fundit” të lojës, ndaj skuadrës së Monza-s, jo gjithçka ka shkuar “vaj” në përballjen e mesditë së kësaj të diele, për “verdhekuqtë” e Jose Mourinho, me këtë të fundit që u largua nga fusha me kartonin e kuq, pas një “debati” me teknikun e rivalëve dhe tashmë do të mungojë në stol në përballjen ndaj “zikaltërve” të Inter.

Pikërisht për kartonin e kuq foli dhe tekniku portugez pas ndeshjes, me “numrin 1” të pankinës së Roma-s, i cili tha se pavarësisht se përjashtimit nga fusha e blertë ai nuk kishte ofenduar askënd.

“Më përjashtuan për heshtjen e pankinës së Monza-s, por nuk ofendova askënd. Vitin e kaluar luajtëm një ndeshje të shkëlqyer në Monza dhe njerëz pa përvojë na thanë fjalë të këqija. Sot i vetmi stoli që bëri një shfaqje fantastike dhe i bëri presion arbitrit ishte e tyre. A jam penduar që nuk jam aty ndaj Inter? Si të gjitha herët që nuk jam aty.”,- u shpreh Jose Mourinho.