17:33 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020

MPJ tregon pse iu ndalua hyrja në Kosovë ministrit serb, Mladen Sharçeviq

Ministrit të Arsimit të Serbisë, Mladen Sharçeviq, sot i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Ai po planifikonte të ishte i pranishëm në nisjen e vitit akademik të Universitetit serb të Prishtinës me seli në Mitrovicë, por iu refuzua hyrja.

Lajmin për këtë e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për IndeksOnline.

Nga ky institucion për IndeksOnline kanë thënë se njëri nga shkaqet e refuzimit është vazhdimi i fushatës kundër njohës së pavarësisë së Kosovës, nga ana e Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka refuzuar t’i jep leje Ministrit të Arsimit të Republikës së Serbisë, Mladen Sharçeviq, për të vizituar veriun e Republikës së Kosovës.

Shkaqet e refuzimit konsistojnë në arsyet se:

Qeveria e Serbisë vazhdon fushatën kundër njohjes se pavarësisë së Kosovës;

Qeveria e Serbisë vazhdimisht azhurnon urdhrër-arrestet ndërkombëtare per krime të pretenduara lufte në Interpol për qytetarët e Kosovës dhe ish ushtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; si dhe

Qeveria e Serbisë, përkundër të drejtave të avancuara të komunitetit serb në Kosovë, vazhdimisht ndërhyn në përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mirë-integrimin e kësaj pakice dhe koordinimin më të mirë – në veriun e vendit.

U bëjmë të ditur se Ministri serb i Arsimit ka kërkuar leje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës për të vizituar Universitetin e Veriut të Mitrovicës – universitet ky që financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, por që fatkeqësisht vazhdon të mos u jap llogari institucioneve të RKS-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkohë, kujtojmë se shqiptarët në Luginën e Preshevës e zhvillojnë mësimin në kushte të mjerueshme, mirëpo deri tani nuk u vizitua nga asnjë ministër i Serbisë./IndeksOnline/