16:40 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

MPMS përfundon ndërtesën për raste sociale në Stantërg, u vendosën 17 familjet përfituese

Në ndërtesën në Stantërg, dedikuar rasteve sociale sot janë vendosur 17 familjet përfituese që i ka përzgjedhur komisioni komunal për ndarjen e këtyre banesave.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka siguruar mjetet për ndërtimin e këtyre banesave, ndërsa Komuna ka siguruar tokën dhe do të përkujdeset edhe për të rregulluar hapësirën përreth ndërtesës.

Familjeve përfituese çelësat e banesave ua ka dorëzua kryetari i komunës Agim Bahtiri në ndërtesën e ngritur në Stantërg. Më parë në ambientet e ndërtesës komunale, kryetari Bahtiri i ka nënshkruar me kryefamiljarët kontratat për shfrytëzimin e banesave.

Me rastin e dorëzimit të çelësave familjeve përfituese, që kishin ardhur bashkë më të gjithë anëtarët e familjes, kryetari Bahtiri tha se ndihet tepër i lumtur që po ua dorëzon çelësat e banesave këtyre familjeve, të cilat nuk e kanë pas të zgjidhur çështjen e banimit dhe të cilat kanë pas gjendje të rëndë ekonomik- sociale.

“Ndihem shumë i lumtur që në fytyrat tuaja po shohë buzëqeshjet tuaja. Ju premtoi se tani e tutje do të buzëqesheni vazhdimisht pasi që Komuna dhe institucionet tjera nuk do të ju harrojnë, por do të bëjnë çmos që të ju mbështesin dhe ndihmojnë edhe për zgjidhjen e problemeve tjera që e rëndojnë jetën tuaj. Dua të falënderoj edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila i ka siguruar mjetet për ndërtimin e këtyre banesave, ndërsa që Komuna ka siguruar tokën dhe do të përkujdeset edhe për të rregulluar hapësirën përreth ndërtesës”, tha kryetari Bahtiri.

Ai në vazhdim tha se komuna ka bërë shumë viteve të fundit dhe është shumë e përkushtuar dhe e angazhuar që të realizojë edhe projekte të tjera për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe problemeve të tjera që i rëndojnë familjet me gjendje jot ë mirë ekonomiko- sociale.

“Këto ditë pritet të filloi projekti për ndërtimin edhe të gjashtë shtëpive për familjet me gjendje të vështirë sociale, për çka komuna ka siguruar tokën, ndërsa që ndërtimin do ta bëjnë disa kompani që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë drejtim”, shtoj kryetari Bahtiri.

Të gëzuar e të buzëqeshur që u vendosën në banesa, familjet përfituese të cilat i uronte dhe i përgëzonte secilin veç e veç kryetari Bahtiri, u shprehën të jenë të lumtura dhe mirënjohëse ndaj komunës dhe Ministrisë për zgjidhjen e çështjes së strehimit.

Familjet e vendosura në banesat e reja në veçanti falënderuan kryetarin Bahtiri për angazhimin dhe përkushtimin e tij për t’ua zgjidhë çështjen e strehimit, duke theksuar se tani e tutje familjarët e tyre do të kenë një jetë me më pak brenga dhe me më shumë mundësi për shkollimin e fëmijëve të tyre, pasi që ata kanë kushte të mira për mësim.

Ndërtimi i 17 banesave për familjet në gjendje të vështirë ekonomike- sociale ka kushtuar rreth 300 mijë euro, mjete këto të siguruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkohë që komuna ka siguruar tokën për ndërtim.