MPMS u kërkon falje qytetarëve për sms-ët e sotëm: Për çdo paqartësi të drejtohen në Qendrën për Punë Sociale

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka sqaruar mesazhet e shumta që morën sot qytetarët lidhur me 130 eurot, për masën e 15-të nga Pako Emergjente.
Nga kjo ministri thanë se gjatë përgatitjes dhe filtrimit të listave për njoftim me SMS rreth statusit të aplikimit tuaj për masën 15, ka ndodhur një gabim teknik, ku një numri të përfituesve, me datë 11.08.2020, iu është dërguar gabimisht një SMS i cili nuk dedikohej për ta. Të gjitha këto familje sot gjatë ditës kanë pranuar një SMS tjetër sqarues rreth këtij gabimi teknik.
“Për çdo paqartësi apo ankesë eventuale, palët mund të paraqiten në Qendrën për Punë Sociale të komunës ku jetojnë”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.
Gjithashtu u theksua se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion bartës i procesit të zbatimit të Masës 15, kërkon ndjesë dhe mirëkuptim për këtë lëshim i cili mund të ketë shkaktuar pakënaqësi te pranuesit e SMS-it në fjalë./Indeksonline/