20:40 / E Shtunë, 03 Shkurt 2018 / indeksADMonline

MSH: Nuk ka shkelje të ligjit, nevoja për barna ishte emergjente

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se nuk ka bërë asnjë shkelje të legjislacionit të prokurimit në lidhje me tenderin për furnizim me material shpqnzues për Hemodializë.

Sipas një komunikate për media, MSH sqaron se furnizimi emergjent ka qenë zgjidhja e vetme për shkak të skadimit të kontratës paraprake dhe për shkak të mungesës së materialeve, raporton Indeksonline.

Me tutje ata kanë shtuar se furnizimi emergjent ka qenë i detyrueshëm për shkak se jeta e shumë personave ka qenë e rrezikuar në rast se nuk siguroheshin këto materiale për hemodializë.

Lexoni të plotë komunikatën e MSH-së:

Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit nuk thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje të legjislacionit të prokurimit në lidhje me Tenderin për Furnizim me material shpenzues për Hemodializë.Ministria e Shëndetësisë ka kryer një aktivitet tenderues për furnizim emergjent për një periudhë gjashtë (6) mujore, dhe nuk është Kontratë e Rregulltë kornizë. Furnizimi emergjent ka qenë zgjidhja e vetme dhe e detyrueshme për Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të skadimit të Kontratës paraprake tri (3) vjeçare) dhe për shkak të mungesës së materialeve. Dhe më e rëndësishmja, furnzimi emergjent ka qenë i detyrueshëm për shkak se jeta e shumë personave ka qenë e rrezikuar në rast se nuk do siguroheshin këto materiale për hemodializë.

Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) PSH nr. 504/17, në mënyrë të qartë ka Vendosur dhe sqaruar se gjatë procedurës tenderuese për furnizim emergjent me material shpenzues për hemodializë Ministria e Shëndetësisë në tërësi ka respektuar dispozitat dhe kërkesat ligjore të Legjislacionit të Prokurimit Publik. Gjithashtu kjo procedurë është bërë në transparencë të plotë duke e lajmëruar paraprakisht edhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Fakti se Ministria nuk ka shkelur dispozitat e ligjit të prokurimit sqarohet dhe konstatohet në paragrafin e fundit të faqe 9 të Vendimit të OSHP-së, dhe me faktin e lënies në fuqi të Vendimit për furnzimin emergjent. Sygjimi i vetëm i OSHP-së në Vendimin në fjalë ka qenë që në të ardhmen ky aktivitet tenderues të jetë i hapur i hapur për konkurrencë. Dhe kjo është arsyeja përse Ministria e Shëndetësisë në një periudhë shumë më të hershme se vendimi i OSHP-së, për t’i dhënë fund monopolit, ka vendosur për zhvillimin e procedurave tërësisht të hapura tenderuese, duke krye aktivitet tenderues për furnizim emergjent vetëm për një periudhë gjashtë mujore.

Përderisa hapja e tërësishme e konkurencës kërkon kujdes të shtuar në lidhje me cilësinë e produkteve të cilat mund të ofertohen dhe jetën e shëndetin e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar afër me mjekët dhe specialistët e fushës për të arritur qëllimin e blerjes së produkteve cilësore me çmime të arsyeshme.