16:56 / E Premte, 28 Gusht 2020 / indeksADMonline

MSh tregon pse ende s’janë kryer pagesat e shtesës prej 300 eurove për punonjësit shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë dëshiron të njoftoje se arsyeja e mos pagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/18 të datës 29.07. 2020 për punonjësit e SHSKUK-së është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj.

Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë.

Përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesa.

Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës  për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierëve dhe teknikëve të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si:

·         IKSHPK-ja,

·         Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut,

·         Departamenti i Shëndetësisë në Burgje,

·         SHSKUK dhe Spitalet e përgjithshme si njësi të saj si dhe

·         QKMF-të në Komuna.

 Sipas vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht.