15:04 / E Martë, 18 Prill 2023 / S Z

MSH: Zgjedhja e mjekut, e drejtë e secilit !

Në sistemet e reja shëndetësore, të cilat pacientin e shohin në qendër të saj, pacienti gjithnjë e më tepër shikohet edhe si bashkëpunëtori kryesor dhe më i mirë, jo vetëm në vendosjen e drejtë të diagnozës, por edhe në përzgjedhjen e procedurave të trajtimit, falë një bashkëpunimi dhe komunikimi të suksesshëm.

Kështu ka thënë sot Dr. Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë në tryezën për shënimin e Ditës Evropiane të Drejtave të Pacientëve, ku temë për diskutim ishte: “Zgjedhja e mjekut, e drejtë e secilit”.

Në këtë tryezë, të organizuar në bashkëpunim me Projektin Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm (AQH) dhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve PRAK, zëvendësministri Berisha theksoi se ligjet dhe deklaratat për të drejtat e pacientëve nuk e bëjnë sistemin shëndetësor më të sigurt, por mund të ndihmojnë në fuqizimin e pacientëve, duke i vendosur ata në një pozitë më të mirë për të menaxhuar shëndetin dhe përmirësuar sigurinë e tyre.

Ai theksoi se MSh ka miratuar Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrimin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, përmes së cilit do të krijohet lista e banorëve/pacientëve me çka secili qytetar do të zgjedh mjekun e vet familjar në zonën e banimit dhe kjo që do të ndikojë në rritjen e mbulueshmërisë së popullatës me shërbime shëndetësore, në promovimin, edukimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme si dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen në Kujdesin Parësor Shëndetësor./Indeksonline/