Muaji Mars “Treni” i fundit, nëse Kosova donë ta zë liberalizimin e vizave
Ratifikimi i demarkacionit do të duhet të kryhet në fillim të muajit Mars në mënyre që Kosova t’i zë afatet e vendimmarrjes së institucioneve të BE-së, ndryshe rrezikon që izolimi të vazhdoj përtej vitit 2018. Kështu ka paralajmëruar Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha.
Në një përgjigje dhënë për Indeksonline, Hoxha ka thënë se shpreson që të gjithë deputetët do të votojnë për ratifikimin e demarkacionit dhe të zgjedhin lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Çdo ditë e çdo orë jemi vonë. Marsi dhe Prilli janë me takime zyrtare të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian është institucion që ka të drejtë të propozojë amendamente në Rregulloren e Këshillit 539/2001. Komisioni është institucioni që bën propozimin legjislativ nëse Rregullorja duhet të ndryshohet, në këtë rast lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.
Ministrja Hoxha ka shpjeguar se tani sipas Traktatit të Lisbonës, Këshilli ka fuqi legjislative të barabartë me Parlamentin Evropian dhe vazhdon të votojnë me shumicë të cilësuar. Është edhe mundësia e pakicës bllokuese që kërkon 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së. Kjo për rastin tonë nuk pritet të ndodhë.
Foto- Ministrja e Integrimit Evropian – Dhurata Hoxha
“Konsideroj se kjo vonesë është e dhimbshme, është bërë tepër kjo pozitë e bllokadës dhe getos së qytetarëve tanë që padrejtësisht mbahen të izoluar. Fillimi i muajit Mars ka qenë afat i dëshirueshëm për ratifikimin si proces të përfunduar për Komisionin Evropian që t’i zëmë afatet e vendimmarrjes së institucioneve të BE-së. Pra, shpresoj që kjo të ndodh sa më shpejtë sepse po rrezikojmë që izolimi të vazhdoj përtej vitit 2018. Jam optimiste për gatishmërinë dhe konsensusin e arritur, shpresoj që të gjithë deputetët do të votojnë për ratifikimin e demarkacionit dhe të zgjedhin lëvizjen e lirë të qytetarëve, fuqizimin e shtetësisë tonë, sovranitetit tonë, por mbi të gjitha t’i japin fund izolimit të qytetarëve tanë”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq sa i përket asaj se a pritet që Kosova të kenë sfidën bllokuese nga vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë, Ministrja ka thënë se ato vende nuk pritet të paraqesin bllokada për liberalizim të vizave sepse nuk bllokuan as me rastin e marrëdhënies së parë kontraktuale të Kosovës me BE-në, nënshkrimi i MSA-së e as me Planin për zgjerim të BE-së në Ballkanin perëndimor
“Edhe teknikisht, 5 vendet nuk mund të përbëjnë rrezik për liberalizimin e vizave, nëse rrjedh procedura e deritashme e përkrahjes nga vendet e mëdha mike të vendit tonë dhe pavarësisë Kosovës. Sa i përket procedurës vendimmarrës për liberalizim të vizave, vendet jo njohëse nuk mund të jenë pengesë as në Këshill dhe as në Parlament. Së pari në Këshill, kërkohet shumica e kualifikuar, apo aprovim i 55% të vendeve anëtare, por nëse vendimi nuk është propozuar nga Komisioni, kërkohen 72%, dhe që përfaqëson të paktën 65% të popullsisë së BE-së Në rastin tonë, vendet jo njohëse nuk e përbëjnë rrezik, nuk përfaqësojnë 65% të popullsisë”, ka thënë Hoxha.
Ministrja tutje ka shpjeguar se gjithashtu 5 vendet jo njohëse të Pavarësisë tonë, nuk mund të mbështeten te mundësia e pakicës bllokuese që kërkon 4 shtete që përfaqësojnë 35% të popullsisë së BE-së, pra sa i përket vendimmarrjes për viza, vendet jo njohëse nuk mund të jenë pengesë. /Indeksonline/