17:58 / E Enjte, 22 Shtator 2022 / MSH

Mund të jetë pasues i Vasfije Krasniqit në Kuvend, flet Nasuf Bejta

Ish-deputetja Vasfije Krasniqi-Goodman njoftoi dje se nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Deri te dorëheqja e saj nga pozita e deputetes ka ardhur, sipas Krasniqit, pas disa problemeve shëndetësore.

Ndërkohë, vendin e saj pritet ta zë ish-kandidati për president të Republikës së Kosovës, Nasuf Bejta.

Lidhur me këtë, ka folur edhe kandidati potencial për pasues të Vasfije Krasniqit.

Bejta ka thënë për Indeksonline se akoma nuk është asgjë zyrtare dhe se paraprakisht duhen ndjekur procedurat zyrtare që janë të parapara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Jemi në pritje, në listë… asgjë nuk kemi zyrtare akoma. Kur të marr ulësen e Kuvendit, ka kohë për të folur për bindjet e mia politike. Fjalën kryesore e ka KQZ, pas njoftimit zyrtar janë edhe procedurat e zëvendësimit, siç e thash, jemi në pritje” deklaroi Bejta.

Në anën tjetër, nga KQZ thonë për Indeksonline se janë duke pritur kërkesë për rekomandimin e kandidatit pasues.

“Deri më tani nuk kemi pranuar kërkesë për rekomandimin e kandidatit të radhës. Pasi të vije një kërkësë e tillë, KQZ-ja do të rekomandojë kandidatin e radhës brenda afatit ligjor” deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas Nenit 112, pika 3, të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kur një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Një kërkesë e tillë duhet të përfshijë edhe sqarimin se pse u lirua kjo ulëse.

Bejta kishte marrë 5763 vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar./Indeksonline/