12:53 / E Premte, 14 Gusht 2020

Mundësi për rreth 500 punëkërkues të riatdhesuar në Kosovë

Në vazhdimësi të rritjes së përpjekjeve për zgjerim të mundësive për punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë, javën e kaluar (6 gusht) Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) – Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, shpallën të hapura disa programe në kuadër të masave aktive të tregut të punës.

Me anë të Programit të Vetëpunësimit, Programit për Subvencionim në Pagë dhe Programit për Trajnim në punë për punëkërkues të riatdhesuar në Kosovë, po synohet të krijohen mundësi drejt tregut të punës për rreth 500 punëkërkues te riatdhesuar të papunë, të regjistruar pranë Zyrave të Punësimit (ZP) në nivel vendi.

MPMS/APRK në bashkëpunim me UNDP, nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit do të mbështesë punëkërkuesit e riatdhesuar në krijimin e planeve të realizueshme të bizneseve të tyre, nëpërmjet Programit të Subvencionimit të Pagës do të përkrahë punëkërkuesit e riatdhesuar dhe ndërmarrjet/bizneset private nëpërmjet ofrimit të një programi njëvjeçar të punësimit, ndërkaq nëpërmjet Programit për Trajnim në Punë do të mbështesë të riatdhesuarit duke u mundësuar trajnim 3 mujor në ndërmarrje/kompani private.

Përkrahja e shtuar vjen posaçërisht në këtë kohë të vështirë të përballjes me pandeminë COVID-19, për të rritur edhe më tej mundësitë për punëkërkuesit dhe për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e shkaktuara nga pandemia. Të gjitha ZP-të janë vënë në dispozicion të punëkërkuesve dhe ndërmarrjeve/bizneseve që po shfaqin interesimin për të aplikuar për programet e shpallura.

Programi për Subvencionim në Pagë dhe Programi për Trajnim në punë për persona të riatdhesuar vazhdon do të jetë i hapur deri më 20 gusht 2020 ndërkaq Programi i Vetëpunësimit për të riatdhesuar do të jetë i hapur deri më 31 gusht 2020.

Të gjitha informatat se çka ofrojnë programet, mënyrës së aplikimit, bashkë me formularët për aplikim, i gjeni në adresat elektronike: https://aprk.rks-gov.net/ apo https://mpms.rks-gov.net/ ,ose në Zyrat e Punësimit në komunën tuaj. Në rast se keni pyetje në lidhje me Programin e Vetëpunësimit, ju lutem kontaktoni projektin ALMP2/UNDP në adresën elektronike: almp.ks@undp.org

Ftojmë të gjithë punëkërkuesit e riatdhesuar të regjistruar pranë Agjencisë se Punësimit/Zyrave të Punësimit në nivel vendi që të aplikojnë për programet të cilat vazhdojnë të mbesin të hapura deri në datat e lartcekura, në mënyrë që të përfitojnë nga mundësitë për punësim, trajnim në punë, si dhe të realizojnë idetë e tyre për biznes, gjithashtu edhe të gjitha ndërmarrjet/bizneset e interesuara për të punësuar punëkërkues sipas nevojave të bizneseve të tyre në skemat e Subvencionimit të Pagës dhe Trajnimit në Punë.