75 Mall Live Search
14:32 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Murati: Është koha e përballjes me Specialen

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, është shprehur kundër iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murati ka thënë se kjo gjykatë është dashur të mos votohet në vitin 2015. Sipas tij, tani është tepër vonë të ndalet Gjykata Speciale.

Murati ka deklaruar se tani është koha të përballemi me këtë gjykatë dhe pasojat që sjell ajo e jo me shfuqizimin e saj.

Ish-ministri Murati ka treguar se Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare dhe shfuqizimi i kësaj gjykate është aventurë politike e cila e vendos Kosovën në një pozicion të rëndë në raport me ndërkombëtarët.

“Epoka e re”: Z. Murati, në fund të vitit të kaluar kemi pasur një iniciativë të disa deputetëve për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Cili është qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim për këtë çështje?
Murati: Kjo ishte një iniciativë që shfaqi mungesë serioziteti dhe mungesë përgjegjësie shtetërore. Është dashur të mendohet mirë para se të votohet në vitin 2015. Është dashur të mos votohet atëherë sepse tanimë pas krejt asaj që u kalua në këtë proces është tepër vonë që ai të kthehet prapa. Lëvizja për Bashkim në të dy mandatet ka votuar kundër Gjykatës Speciale. Fillimisht ish-deputetët Aurora Bakalli dhe Agim Kuleta në vitin 2014 dhe më pas edhe ish-deputeti Raif Qela në vitin 2016 kanë votuar kundër kornizës ligjore dhe ndryshimeve kushtetuese që e kanë krijuar këtë mekanizëm. Që në krye të herës këtë mekanizëm gjyqësor e kemi konsideruar të padrejtë jo vetëm në raport me shqiptarët dhe me luftën e tyre çlirimtare, jo vetëm në raport me UÇK-në, por në raport me drejtësinë në tërësi. Është hera e parë në historinë e luftërave në ish-Jugosllavi kur një populli, i cili ishte viktimë e luftës, i krijohet një gjykatë speciale. Është i vetmi rast në historinë e re të drejtësisë ndërkombëtare, qysh prej Tribunalit të Nurenbergut dhe atij të Tokios (sepse atje u gjykuan vetëm gjermanët, respektivisht japonezët), kur kemi një gjykatë që do të ndjekë penalisht vetëm një etni. Veçse dallimi është rrënjësor me ato tribunale, sepse atje janë ndjekur shkaktarët e Luftës së Dytë Botërore dhe kriminelët që i shkaktuan krimet më monstruoze që ka njohur njerëzimi deri atëherë, ndërsa në rastin tonë po krijohet një gjykatë për t’i ndjekur krimet e supozuara të atyre që kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare të një populli që ishte ndër viktimat më të mëdha të luftërave në ish-Jugosllavi. Nuk po dua të hyj më tepër se si erdhi kjo gjykatë, që prej raportit të Dik Martit e Rezolutës së Këshillit të Evropës, por ajo që ndodhi ishte se përfaqësuesit kryesorë të PDK-së edhe në vitin 2014, edhe në vitin 2016, të prirë nga tashmë presidenti Thaçi, kanë bërë presion të jashtëzakonshëm tek deputetët që kjo gjykatë të votohet. Si rezultat i këtij presioni, gjithnjë nën arsyetimin se Kosova do të fitojë në arenën ndërkombëtare dhe se do të pastrohet lufta çlirimtare, kjo gjykatë u miratua me votat e shumicës së deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së, kjo e fundit e vetmja parti shqiptare e cila për interesat e veta politike e ka përkrahur prej fillimit pa ekuivok krijimin e kësaj gjykate. Kërcënimi kryesor që u bëhej deputetëve ka qenë se këtë gjykatë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së nëse nuk themelohet nga Kosova dhe se pastaj ndikimi i Rusisë do të jetë i madh në punën e kësaj gjykate. Sigurisht se si atëherë, ashtu edhe sot, mendoj se ka qenë më e drejtë që gjykata të mos votohet, pra ne të mos ia krijojmë vetes dhe luftës sonë një gjykatë ku do të na ndjekin të huajt, por në fund të fundit ajo le të krijohej nga KS i OKB-së. Mirëpo përderisa ajo është themeluar dhe Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare, e procesi ka shkuar aq larg (me përfshirjen edhe të BE-së, marrëveshjes me Holandën etj.), hapat për ta shfuqizuar atë janë aventurë politike e cila e vendos Kosovën në një pozicion të rëndë në raport me aleatët ndërkombëtarë, por edhe i krijojnë një imazh të një shteti joserioz në arenën ndërkombëtare. Kjo situatë është produkt i gabimeve të politikës sonë dhe i faktit se kjo çështje nuk është trajtuar seriozisht që në fillim. Tani nuk është koha për t’u tërhequr nga këto obligime, por duhet të përballemi me Gjykatën dhe pasojat që ajo do t’i krijojë. Më duhet të theksoj se edhe tërë procesi për zhbërjen e saj deri më tani ka qenë shumë joserioz. Nëse kanë ndonjë informatë që ne të tjerët nuk po e dimë apo nëse ka lëvizur diçka në raportet ndërkombëtare dhe prapë ne të tjerëve na mungojnë informacionet, nismëtarët e këtij procesi është dashur të na informojnë, njëkohësisht të hapin një debat më të gjerë shoqëror e politik për të arsyetuar se pse kjo po ndodh. Kështu si rrodhi, i erdhi era një loje politike që ishte në shërbim të interesave personale, e jo të atyre shtetërore dhe kombëtare.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shprehur gatishmëri për ta përkrahur këtë proces, ka kërkuar që projektligji për ta shfuqizuar Ligjin për Speciale duhet të vijë nga qeveria. Besoni se mund të arrihen votat e mjaftueshme në Kuvend për miratimin e këtij projektligj?
Murati: Jo vetëm zhvillimet në ditët e fundit, por që nga fillimi i rishfaqjes së çështjes së shfuqizimit të Ligjit mbi Dhomat e Specializuara, kam qenë i bindur se është më shumë një lojë politike sesa që mund të ndodhë realisht. Qëndrimet e forcave politike, të cilat këtë çështje kanë bërë përpjekje ta bartin si përgjegjësi nga njëri institucion shtetëror në tjetrin, kanë qenë më shumë kalkulime politike. Ajo që unë besoj është se shfuqizimi nuk do të ndodhë. Edhe deklarimet e fundit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës e të PDK-së, z. Veseli, por edhe të zyrtarëve të kabinetit Haradinaj, janë indikacione në atë drejtim.

“Epoka e re”: ShBA-ja dhe vendet e BE-së kanë kundërshtuar fuqishëm iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Speciale. Çfarë pasojash do të mund të kishte Kosova nëse do të ndodhte një gjë e tillë?
Murati: Këto shtete kanë qenë sponsorueset kryesore të këtij procesi dhe është krejtësisht e natyrshme që ato ta kundërshtojnë zhbërjen e gjykatës. Sigurisht se kjo që ndodhi nuk na paraqet subjekt serioz të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi. Megjithatë, nuk u takoj atyre njerëzve që mendojnë se tragjedia do t’i ndodhte Kosovës nëse ndodh shfuqizimi i speciales. E shumta që mund të ndodhë, do të ishte izolimi i një pjese të lidershipit tonë politik, si dhe do të përgatitej terreni për ridizajnim të skenës sonë politike. Sigurisht se edhe Kosova do të kishte pasoja, por ato do të ishin afatshkurtra, sepse në thelb interesat strategjike të Perëndimit që e bënë ta përkrahte Kosovën, lirinë e saj dhe procesin e shtetndërtimit janë më të mëdha sesa të themi thyerja që mund të shkaktojë prishja me një pjesë të lidershipit të saj. Ajo që mua më brengos, është se ne duhet ta kuptojmë që për ta forcuar shtetësinë dhe subjektivitetin tonë ndërkombëtar ne duhet të sillemi si një shtet serioz në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, edhe kur vendosim që diçka të kundërshtojmë, këtë duhet ta bëjmë me kujdes, me mend dhe, para së gjithash, me konsensus të brendshëm, e gjithmonë duke dhënë edhe alternativa për atë që kundërshtojmë.

“Epoka e re”: Pritjet janë që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë këtë muaj marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ndërkohë, partnerët qeverisës nuk kanë qëndrime të njëjta për këtë temë. Si duhet të zgjidhet kjo çështje?
Murati: Fatkeqësisht, edhe demarkacioni është shndërruar më shumë në një lojë të brendshme politike sesa në një çështje që Kosova duhet ta zgjidhë në raport me Malin e Zi, por edhe në raport me ndërkombëtarët. Kosova pa kurrfarë nevoje ka humbur kohë shumë të vlefshme dhe ka kaluar nëpër një periudhë dhune fizike e psikologjike për shkak të reagimit opozitar me kërkesën që të rrëzohet kjo marrëveshje. Ndërkohë, në mënyrë paradoksale, pikërisht opozita e atëhershme, përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk i kishte numrat për t’u miratuar, ishte kundër sjelljes së marrëveshjes në kuvend, ku rrëzimin e kishte të pashmangshëm. Pra, fatkeqësisht, qëllimi i krijimit të kësaj situate, më tepër se në funksion të rrëzimit të kësaj marrëveshjeje ishte në funksion të rrëzimit të qeverisë. Pra, më tepër se për interesa të përgjithshme ishte për interesa partiake.
LB-ja fillimisht ka qenë kundër këtij versioni, sepse ka konsideruar se i ka munguar transparenca e duhur dhe që prej marsit të vitit 2016 kemi kërkuar që për shkak të dyshimeve se si ka shkuar ky proces, por edhe për shkak të kontekstit të brendshëm, demarkacioni të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Kjo qasje edhe do ta eliminonte demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave, sepse do t’i jepej rrugë zgjidhjes, edhe do ta shmangte tensionin e panevojshëm që u krijua në vend. Mirëpo, për këtë çështje është e domosdoshme të ndodhë një proces: marrëveshja duhet të rrëzohet në kuvend dhe të krijohet kështu një kontest i ri juridik me Malin e Zi, i cili do t’i krijonte rrethanat që palët të merreshin vesh të shkojnë në një arbitrazh ndërkombëtar, të cilit me marrëveshje do të mund ta përcaktonin edhe afatin kohor të marrjes së vendimit. Në funksion të këtij qëndrimi konsistent që e kemi, kemi konsideruar se ka qenë krejt i panevojshëm, për të mos thënë një lloj nonsensi politiko-juridik krijimi i komisionit të ri për kufirin dhe hartimi i një raporti alternativ. LB-ja konsideron se marrëveshja duhet sa më shpejt të shkojë në seancën e Kuvendit dhe aty të marrë një epilog. Duke e ditur raportin e forcave politike, qëndrimet e deputetëve, marrëveshja aktuale nuk mund të kalojë dhe, rrjedhimisht, krijohen rrethanat ose për rinegociim, ose për arbitrazh ndërkombëtar.

“Epoka e re”: Po ashtu, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar pasoja nëse demarkacioni nuk ratifikohet. Me këtë mosdëgjueshmëri të partnerëve perëndimorë, a rrezikohen raportet e Kosovës me ShBA-në dhe BE-në?
Murati: Ndërkombëtarët janë shumë të vetëdijshëm se ky version i marrëveshjes e ka vështirë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, ata janë të vetëdijshëm që problemi nuk qëndron se Kosova nuk dëshiron të ketë marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi, pra Kosova nuk konteston kufijtë me fqinjët e saj, por Kosova ka problem me këtë version të marrëveshjes. Rrjedhimisht, mosmiratimi i këtij versioni nuk e mbyll derën, por e hap derën të gjenden rrugët alternative për ta zgjidhur problemin e demarkacionit, që realisht është kushti kryesor në rrugën drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, ky proces nuk mund të krahasohet me zhbërjen e gjykatës, sepse në rastin e dytë ne kemi një proces në të cilin Kosova ka hyrë përmes vendimmarrjes në të gjitha nivelet si ato legjislative, po ashtu edhe ato qeveritare dhe përmes zyrës së presidentit, përderisa procesi i demarkacionit nuk është përmbyllur dhe Kosova merr obligime ndërkombëtare vetëm kur të ratifikohet në kuvend.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverinë Haradinaj?
Murati: Kemi qeverinë me stafin më të madh politik në historinë e shkurtër të Kosovës së pavarur dhe me numrin më të vogël të deputetëve që përfaqësojnë një koalicion qeveritar. Një qeveri që erdhi me premtime për zgjidhjen e problemeve të mëdha si bisedimet me Serbinë, demarkacioni, asociacioni, ushtria, reforma zgjedhore etj., por që shumica e tyre varen nga votat e deputetëve të Listës Serbe. Është hera e parë që kemi një varësi të këtij niveli nga deputetët e një subjekti politik që drejtpërdrejt varet nga Beogradi zyrtar. Kjo edhe ka qenë arsyeja pse LB-ja që pas mbarimit të zgjedhjeve ka kërkuar një qeveri gjithëpërfshirëse me mandat kohor të kufizuar, e cila nuk do të varej nga Lista Serbe dhe e cila do t’i zgjidhte me konsensus çështjet të cilat i përmenda më lart. Në planin e përditshmërisë, kjo qeveri karakterizohet për nga energjia e madhe e kryeministrit, por që në veprimet e tërësishme qeveritare japin përshtypjen e një kaosi, shpeshherë arrogance, mungese strategjie dhe objektivi qeverisës.

“Epoka e re”: Opozita ka paralajmëruar se kjo qeveri nuk do ta ketë gjatë dhe se shumë shpejt mund ta ngrehin një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Sa besoni se mund të qëndrojë kjo qeveri me 61 vota në Kuvend?
Murati: Alternativë: Jo vetëm se kemi vetëm qeveri të dobët në ide e në numra, por kemi edhe një opozitë të dobët e të plogësht në veprime e ide, ndonëse të fortë në numra. Sigurisht, kësaj i ndihmon ajo që po ndodh brenda LV-së, por edhe fakti se askush nuk është i gatshëm të shkojë shumë shpejt në zgjedhje. Andaj, nëse nuk ndodh ndonjë tronditje më e madhe në skenën politike, sidomos në raport me ligjin për Specialen, apo edhe në varësi se si do të menaxhohet procesi i demarkacionit, kjo qeveri edhe mund të ketë jetë më të gjatë sesa po i shkruhet nëpër kuluaret politike e mediale.