13:47 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

Murati: Veriu i Mitrovicës nuk duhet të përfshihet në ridefinim të kufijve

Zgjidhja më e mirë për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për komunitetin serb që jeton në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, është reciprociteti i përbashkët për të drejtat e tyre, që çon deri tek ridefinimi i kufijve me vullnetin e  dy popujve, mirëpo pa përfshirë këtu Mitrovicën.

Kështu ka thënë gjatë një interviste për Telegrafin, kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati.

Ai potencoi se çështja e veriut të Mitrovicës nuk duhet të përfshihet në këtë reciprocitet pasi në vitin 2000 në atë pjesë është bërë një spastrim etnik i 12 mijë shqiptarëve.

Murati tha se LB-ja, ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet vendore kthimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës dhe fshatrave përreth.

“Kërkesa jonë fillimisht ka qenë që ne të ndërtojmë një platformë konsensuale dhe të kërkojmë të drejta të barabarta për shqiptarët në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë me ato që u jepen serbëve në veriun e Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Sigurisht që zbatimi me konsekuencë i këtij reciprociteti çon në një të ardhme edhe në ridefinimin e kufijve me Serbinë, si varianti më i mirë i zgjidhjes së problemit shqiptaro-serb. Çdo herë jo duke u nisur nga territori  dhe pasuritë natyrore, por duke u nisur nga vullneti i njerëzve atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën, të kenë të drejtë të pyeten se a dëshirojnë të bashkohen me Kosovën dhe e njëjta gjë të vlej për serbët”, ka thënë Murati.

Sipas tij, nëse SHBA-të e kanë ndërruar qëndrimin dhe janë të gatshëm që të ndihmojnë që ky problem të zgjidhet është shumë më mirë të ndodh tash se sa pas 20 viteve.

“Ne ashtu-kështu do të humbim shumë energji edhe me të drejta të barabarta, por nëse aty nuk janë këto rrethana ne insistojmë që t’i kthehemi konceptit të reciprocitetit me të drejta, me këta kufij që janë dhe pastaj ndoshta me një situatë total të relaksimit të raporteve me Serbinë pasi zgjidhen problemet dhe të shtrohet çështja e definimit të kufijve”, ka theksuar kryetari i LB-së, Valon Murati.