07:33 / E Premte, 14 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Votimi i Ushtrisë, Veriu mbushet me flamuj serb, qytetarët nën kërcënim të grupeve kriminale

Veriu i Mitrovicës ka gdhirë sot me flamuj të Serbisë.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se mijëra flamuj serb kanë hyrë dje pasdite nga Serbia në territorin e Kosovës dhe janë vendosur nëpër institucione e shtylla të rrugëve të veriut, ndërsa u janë shpërndarë qytetarëve serbë të asaj pjese si edhe nëpër shtëpi.

Flamujt serb ne veri

“Pjesëtarë të grupeve kriminale kanë shpërndarë gjatë gjithë natës flamuj serbë. Atyre ju ka prirë Xhorxhe Kasalloviq i njohur me nofkën Xholle, i cili ka shpërndarë këta flamuj pothuajse në secilën shtëpi të serbit, duke përfshirë këtu edhe lagjet e banuara me popullatë të përzier. Pronarët e shtëpive dhe të lokaleve janë urdhëruar t’i vejnë flamujt serb në ditën e sotme, duke i kërcënuar se do të bartin pasoja nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë”, kanë thënë burimet.

Mësohet se e gjithë kjo situatë në veri po zhvillohet si kundërpërgjigje nga ana e serbëve në lidhje me votimin e projektligjeve për formimin e Ushtrisë së Kosovës, që pritet të ndodhë sot në Kuvendin e Kosovës.