15:23 / E Martë, 27 Dhjetor 2022 / B O

“Muriqi! Dua një foto me Muriqin”, djaloshi i vogël i magjepsur pas “piratit” të Kosovës

Faqja zyrtare e klubit të Mallorca në Instagram ka publikuar një video tepër interesante dhe të bukur.

Skuadra spanjolle ishte mbledhur për seancën e tyre stërvitore, ku gjithashtu lojtarët e klubit kanë pasur disa minuta për të takuar dhe për të bërë fotografi me tifozët e pranishëm.

Ajo që vihet re dhe se klubi ka dashur të theksojë në këtë video, është një djalosh i vogël i cili kërkon të takojë Vedat Muriqin.

Ai afrohet dhe thërret i lumtur: “Muriqi! Dua të më bëni një foto me Muriqin!”. Sigurisht, sulmuesi nga Kosova nuk ka nguruar dhe ka marrë djaloshin për të bërë një foto. Kjo është një dëshmi e qartë se fansat e duan shumë sulmuesin e klubit të tyre, ku padyshim performanca e tij këtë gjysmë të parë të sezonit ka mahnitur, aq shumë sa edhe Real Madrid e ka konsideruar si zëvendësues të Karim Benzema.