75 Mall Live Search
01:05 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / B XH

Muriqi një hap larg rikthimit te Fenerbahçe, marrëveshja pritet të mbyllet për 15 milionë euro

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, është gjithnjë e më pranë rikthimit te Fenerbahçe, skuadër ku ai shkëlqeu gjatë sezonit 2019/20.

Sipas mediave turke, zgjedhja e Aziz Yıldırım në krye të klubit ka shtyrë përpara negociatat, pasi biznesmeni e kishte premtuar transferimin e Muriqit si një nga objektivat kryesorë të mandatit të tij.

Raportohet se Mallorca dhe lojtari kishin arritur një parim-marrëveshjeje me Yıldırım, ndërsa gazetari turk Ertan Süzgün bën të ditur se transferimi do të realizohet për rreth 15.5 milionë euro, më pak se 18 milionët që ishin përmendur fillimisht.

Edhe pse Mallorca ka rënë nga La Liga, largimi i Muriqit duket i pashmangshëm, sidomos pas sezonit fantastik që zhvilloi, duke realizuar 23 gola dhe duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit spanjoll.

Për 31-vjeçarin, rikthimi te Fenerbahçe do të ishte një kthim në klubin ku shpërtheu në futbollin evropian, pasi në sezonin 2019/20 shënoi 17 gola në 36 ndeshje, para se të transferohej te Lazio.

Megjithatë, nga kjo shitje Mallorca nuk do ta përfitojë të gjithë shumën, pasi Lazio ruan 45 për qind të fitimit nga një transferim i ardhshëm i sulmuesit kosovar. /IndeksOnline/