08:52 / E Diele, 17 Shtator 2023 / Gj. Sh

Muriqi për incidentin në Rumani: Të gjithë do të vdesim një ditë

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, që luan për Mallorcan, Vedat Muriqi pas fitores së sotme kundër Celta Vigos, dërgoi një mesazh bashkimi pas incidentit në ndeshjen e Kosovës me Rumaninë në Bukuresht.

Ai tha se “një ditë të gjithë do të vdesim” teksa kërkoi që të gjithë popujt të jetojnë në paqe.

“Njerëzit po harrojnë se ne jemi njerëz dhe një ditë të gjithë do të vdesim. Pse të mos jetojmë të gjithë në paqe? Pse e përziejnë politikën në futboll? Futbolli është diçka që na bashkon, na bën të kënaqemi. Ja sot këtu janë 20 mijë njerëz që duan të kënaqen me një gol, me një top. Ata po i rrezikojnë këto vlera dhe po i bëjnë të shëmtuara. Por çka të bësh, nuk mund t’ua ndalësh gojën njerëzve, mund të thonë çfarë të duan”, tha Muriqi pas ndeshjes para mikrofonit të LaLigas, raporton media spanjolle “Cope”.

Sulmuesi kosovar nuk fshehu gëzimin e tij për golin e tij të parë në ligë këtë sezon, si dhe fitoren e parë të ekipit të tij.

“Jam shumë i lumtur sepse është fitorja jonë dhe është goli im i parë pas huqjes së dy penaltive. Tri pikët ishin gjëja më e rëndësishme. sulmuesi nuk mund të kërkojë më shumë: të shënojë dhe fitojë”, tha Muriqi.

UEFA njoftoi hapjen e procedurave disiplinore për incidentet në ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024 në Gjermani ndaj federatës së Rumanisë, pas ndërprerjes së ndeshjes së tyre kundër Kosovës, me thirrje kundër shtetit tonë.

Në rastin e Rumanisë dosja është për shkak të incidenteve në ndeshjen e saj në shtëpi të datës 12 kundër Kosovës (2-0), sipas UEFA-s për bllokimin e aksesit, ndezjen e flakëve, hedhjen e objekteve, mesazhet provokuese të natyrës ofenduese dhe sjelljen raciste.

Ndeshja e luajtur në Arenën Kombëtare të Bukureshtit është ndërprerë për gati një orë pas vendimit të lojtarëve kosovarë për t’u larguar nga fusha për shkak të thirrjeve dhe pankartave të shfaqura në tribuna kundër pavarësisë së Kosovës.