22:10 / E Martë, 02 Qershor 2020 / indeksADMonline

Mushkolaj përplaset me Aliun: Propozimi i Murat Jasharit për kryeministër në këtë kohë është i vonshëm

Analisti Imer Mushkolaj është përplasur me deputetin e LVV-së, Liburn Aliu për propozimin e këtij të fundit se Murat Jashari do të ishte një kryeministër konsensual.

Mushkolaj ka thënë se propozimi i Vetëvendosjes është shumë i vonshëm pasi qeveria e re është në prag të votimit.

“Ky vendim për mua do të ishte shumë më i pranueshëm nëse do të vinte shumë më herët pasi edhe Vetëvendosje e ka ditur që edhe Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim të tillë. Zakonisht kur bëhen propozime të tilla ato nuk vijnë nga politika. Vet ideja që ky emër ka ardhur nga LVV në këtë situatë të tensionuar e bënë të papranueshëm nga subjektet tjera politik”, ka thënë Imer Mushkolaj në Dukagjin.

Nga ana tjetër deputeti Liburn Aliu thotë se Murat Jashari është mbi Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton telegraf.

“Nëse ne do ta propozonim Murat Jasharin si kandidatë të Vetëvendosjes do të dëmtonim atë dhe familjen e tij. Murat Jashari është kandidat mbi subjektet politike. Deri më tani nuk kemi pasur rastin të flasim për qeveri konsensuale”, ka thënë Aliu.

Deputeti i LVV-së ka shtuar më tej se Murat Jashari pos që do të ishte garanci karshi Serbisë, është edhe garanci se do ta luftonte korrupsionin.

Mushkolaj ka reaguar përsëri dukë thënë se “është paragjykim të thuash se Murat Jashari do ta luftonte korrupsionin”.