22:56 / E Hënë, 26 Shtator 2022 / Gjelbrim

Mushkolaj thotë se Kodi Civil do të sjellë pakënaqësi të reja në VV

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se çështja e Kodit Civil do të sjellë pakënaqësi të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për zgjedhjet e brendshme të LVV-së të cilat u mbajtën të dielën e 25 shtatorit, Mushkolaj ka thënë se çështja e Kodit Civil do të sjellë pakënaqësi të reja në partinë në pushtet.

“Kemi pasur raste që ata që janë përjashtuar nga gara, pavarësisht se mund t’i kenë plotësuar kriteret formale që i ka secila parti, për shkak të një problemi të vetëm që është Kodi Civil, kjo është raportuar”.

Sipas Mushkolajt, ka thënë se këto probleme kanë ardhur prej njerëzve që nuk janë liberal në bindjet e tyre në raport me shoqërinë, të cilët janë më konservativ.

“Kjo çështje do të bëhet më problematike kur vjen koha për të votuar sërish kodin në kuvend”, shtoi ai.

Siç thotë Mushkolaj, kjo çështje është e rëndësishme për të cilën sipas analistit, duket se kryeminsitri Albin Kurti nuk do ta çojë përpara.

“Nuk do të lëshojë pe. Në kuptimin ta çojë përpara dhe të votohet, pavarësisht që këtu po flasim për një dokument të rëndësishëm që po hidhet poshtë vetëm me një arsyetim për një nen apo dy nene të caktuara që mund të mos i pëlqejnë për arsye të bindjeve të tij politike që në këtë rast mund të jenë të linjës konservative osë më liberale”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mushkolaj ka potencuar se “duke e parë se kush ka qenë kandidatë dhe pastaj kush janë zgjedhur krijohet përshtypja se gjithçka ka qenë e deleguar në kuptimin se e kemi X kandidatin për X kryetar të qendrës dhe ai duhet të zgjedhet gjithqysh”.

Për kryetar të Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk pati kundërkandidat.

Siç është deklaruar nga LVV-ja, ky ka qenë qëndrimi i të gjithë anëtarëve të partisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shfrytëzoi të drejtën e tij të votimit.

Ai ka thënë se zgjedhjet brendapartiake janë një tregues themelor për të eksploruar autenticitetin e demokratizimit dhe decentralizimit të partive politike.

Ai ka theksuar se brenda Lëvizjes ka pasur një pjesmarrje shumë të kënaqshme politike, me një gjithëpërfshirje të jashtëzakonshme të të gjitha shtresave dhe niveleve, e sidomos të të rinjve dhe të rejave për poste të rëndësishme brendapartiake dhe lokale.