07:56 / E Martë, 05 Mars 2024 / AR

Musiala refuzon ofertën e re të Bayernit pas interesimit nga klubet e mëdha angleze

Jamal Musiala raportohet se ka refuzuar ofertën e Bayern Munichit për një kontratë të re, pasi ai synon një lëvizje drejt Premierligës.

Mesfushori gjerman ka tërhequr interesimin e klubeve të mëdha, teksa kontrata e tij me kampionët në fuqi të Gjermanisë skadon në qershor të vitit 2026.

Musiala ka qenë pjesë e të rinjve të Chelseat, por si profesionist ka debutuar me Bayernin. Megjithatë, ai mund të rikthehet në Angli, për të luajtur në nivelin më të lartë të futbollit atje.

Liverpooli dhe Manchester City raportohet se kanë shprehur interesim dhe janë në garë për transferimin e 21-vjeçarit.

“Bavarezët” duan ta mbajnë mesfushorin edhe më tej, por sipas “Daily Star”, lojtari së fundmi ka refuzuar të nënshkruajë një kontratë të re.

Si Man City, ashtu edhe Liverpooli, thuhet se kanë dërguar skautët e tyre për të ndjekur Musialan në ndeshjen ndaj Bayer Leverkusenit, e cila u fitua nga këta të fundit me rezultatin 3:0.

Musiala me sa duket nuk i ishte përgjigjur propozimit të Bayernit përpara atij derbi, por mediumi anglez pretendon se ai tani e ka refuzuar ofertën për rinovim kontratën pasi synon kalimin në Premierligë.

Manchester City thuhet se është duke udhëhequr garën për të nënshkruar me reprezentuesin e Gjermanisë.

Sidoqoftë, Liverpooli synon të rivalizojë “Qytetarët” për Musialan, teksa mbetet të shihet gjatë verës se si do të rrjedhin gjërat sa i përket të ardhmes së lojtarit.