22:48 / E Hënë, 20 Dhjetor 2021 / AR

Musk iu përgjigjet kritikëve: Këtë vit do të paguaj 11 miliardë dollarë taksa

Elon Musk, personi më i pasur në botë, përmes një postimi në Twitter deklaroi se do të paguajë 11 miliardë dollarë taksa për këtë vit.

Kohët e fundit, Musk është përfshirë në një debat publik në mediat sociale mbi shumën e taksave që paguan.

Në fillim të kësaj jave, senatorja demokrate Elizabeth Warren shkroi në Twitter se Musk duhet të ndalojë së përdoruri paratë e grumbulluara nga gjithë të tjerët pa dhënë asgjë në këmbim.

“Për ata që pyesin, unë do të paguaj mbi 11 miliardë dollarë taksa këtë vit,” u përgjigj miliarderi.

Musk, themeluesi i prodhuesit të makinave elektrike Tesla dhe SpaceX, u bë personi më i pasur në botë në fillim të këtij viti. Javën e kaluar, ai u emërua personi i vitit nga revista “Time”.

Kjo bëri që senatorja Warren të postonte në Twitter: “Le të ndryshojmë kodin e manipuluar të taksave në mënyrë që ‘Personi i Vitit’ të paguajë taksat dhe të ndalojë ngarkimin e të gjithë të tjerëve”.