11:18 / E Enjte, 23 Mars 2023 / MSH

Musliu: E çuditshme dhe e pafalshme heshtja e krerëve të shtetit lidhur me rastin e Sebahate Morinës

Zëvendësdrejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Betim Musliu, në konferencën për media të IKD-së lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Sebahate Morinës, ka kritikuar heshtjen e krerëve të shtetit për këtë rast.

Musliu ka thënë se për IKD-në është shumë e çuditshme dhe e pafalshme heshtja e Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrit Albin Kurti, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e sidomos ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Për ne është shumë e çuditshme dhe e pafalshme heshtja e Presidentes Osmani, Kryeministrit Kurti, ministres Haxhiu e sidomos ministrit Sveçla lidhur me këtë rast, pas shpalljes së këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese. Heshtja e tyre flet se sa e kanë prioritet gruan, mbrojtjen e saj nga dhuna ne familje”, ka thënë Musliu.

Musliu tha se IKD do të japë qëndrimin e saj dhe do të kërkojë llogaridhënie publike mbi dështimin e institucioneve për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës Sebahate Morina, për të cilën Gjykata Kushtetuese konstatoi se i është mohuar e drejta në jetë.

“Sa për kujtim, tani e ndjera Sebahate Morina, ishte vrarë më 14 mars 2021, si rezultat i dështimit të Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dështime këto që janë vërtetuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese me aktgjykim”, tha Musliu.

Për këtë rast, Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së më 13 korrik 2021, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Sebahate Morina, kishte dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me pretendimin se tani të ndjerës, përmes mosveprimit, i ishte shkelur e drejta në jetë. Këto pretendime, u konfirmuan nga Gjykata Kushtetuese.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës të mërkurën njoftoi se ka marrë vendim lidhur me kërkesën e dorëzuar nga vajza e të ndjerës Sebahate Morina, përmes të cilit konstatohet shkelja e të drejtës për jetën, e garantuar me Kushtetutë. Kjo kërkesë ishte hartuar nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Morina dhe ishte dorëzuar nga vajza e saj Velerda Sopi.

“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Ndryshe, përkitazi me këtë rast, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), më 17 mars 2021, kishin publikuar edhe një raport, të cilin e gjeni në KËTU.

Në këtë raport ishin prezantuar gjetjet kryesore dhe shkeljet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe rekomandimet për rastin konkret, ku IKD dhe RrGK kishin kërkuar nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast, me ç’rast ky grup punues duhet të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi. Si dhe, në mënyrë që këto raste të mos përsëriten, të formohet një grup punues me ekspertë të fushës për të shqyrtuar Procedurat Standarde të Veprimit në secilën Prokurori Themelore lidhur me procedurën e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje. Sipas IKD dhe RrGK, ndërmarrja e këtyre veprimeve është e domosdoshme për të parandaluar praktikat ku shteti dështon në ushtrimin e përgjegjësive të tij, ku si rezultat i kësaj, qytetarët e paguajnë me jetën e tyre këtë dështim.

Ndryshe, që nga 14 marsi 2021, kur e ndjera Sebahate Morina u vra nga ish-burri i saj, i cili po ashtu kishte vrarë edhe vetën, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masa për ta adresuar përgjegjësinë institucionale në këtë drejtim.

Për më tepër, edhe institucioni i Avokatit të Popullit në fund të muajit prill 2021, ka publikuar Raportin përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën në jetë dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, ku ka konstatuar shkeljet nga institucionet përgjegjëse shtetërore në këtë rast.