17:48 / E Hënë, 03 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Musliu-Shoshi ia përmend Kurtit pesë parimet e shkelura

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi në një fjalim në Kuvendin e Kosovës ia ka kujtuar liderit të LVV-së, Albin Kurtit pesë parimet që i ka shkelur në vitet e fundit.

Musliu-Shoshi ia ka kujtuar deklaratat e Kurtit për Listën Serbe dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, transmeton Indeksonline.

” Sot, z. Kurti, po flet vetëm për të tashmen dhe të ardhmen. Sot, mandatari Kurti, nuk po flet për historinë siç e ka zakon. Sepse e ka harruar!”, tha ajo ndër të tjera në fjalimin e saj.

Në fund të fjalimit, deputetja e PDK-së ia bëri disa pyetje publike liderit të LVV-së,

Për më shumë lexojeni fjalimin e plotë të Ariana Musliu-Shoshit:

Të nderuara deputete dhe të nderuar deputetë,

Të nderuar përfaqësues të ambasadave të shteteve mike të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot jemi mbledhë me kërkesën e mandatarit për formimin e qeverisë, kryetarin e VETEVENDOSJE!-s, z. Kurti. Pra, 120 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, 68 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve, dhe 38 ditë pas konstituimit të Kuvendit. Sot, mandatari në tentativë, na foli për parimet qeverisëse dhe na e prezantoi kabinetin qeverisës.

Sot, z. Kurti, po flet vetëm për të tashmen dhe të ardhmen.

Sot, mandatari Kurti, nuk po flet për historinë sic e ka zakon. Sepse e ka harruar!

Por, rruga nëpër të cilën ka kaluar dhe gjendet në këtë momente, ka mbet e shkruar, e transkriptuar, e incizuar. Ai ka lënë gjurmë në ecjen politike të tij.

E para, dy vite më parë, në seancën të cilën e kërkoi vet, lidhur me me Parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, 2017-2021, z. Kurti, tha se secila qeveri duhet të synojë të ketë më së shumti 12 ministri, po e citoj, “së paku deri në momentin që Serbia ta njohë Kosovën, ose deri në momentin që në Kosovë nuk do të veprojnë leva direkte të Serbisë, siç është Lista serbe e krijuar në Beograd”. Sepse, sipas tij, qeveria me më pak se 13 ministri, pra 12, i ka dy të mira, ajo edhe kursen, edhe len më pak hapësirë për Serbinë në Kosovë. Përkundër kësaj, z. Kurti, gjatë fushatës dhe pasi që doli i pari nga zgjedhjet, tha se qeveria e tij, nuk do t’i ketë më shumë së 12 ministri. Pra, Kurti, nuk e mbajti premtimin për qeverisje të mirë dhe të vogël. Po them vetëm për Kurtin, sepse LDK tha se nuk ka kërkuar shtimin e ministrive. Z, Kurti, do të të kisha mirëkuptuar kur lëshon pe, Ama jo, kur i gënjen qytetarët. Na thatë se po i bën 15 ministri, sepse zvogëlimi, sa iu kishe premtuar qytetarëve, po bën probleme të mëdha. Kjo gënjeshtër nuk të shitet. Më mirë të kishe thënë, s’pata qare, pa hy në pazare.

E dyta, “Lista Serbe është ambasadë e Serbisë në Kosovë”. Pajtohem me këtë konstatim. E ka thënë mandatari z. Kurti me 24 prill të vitit 2018. Kritika, sharje dhe fyerje, për krerët e mëparshëm të institucioneve , pse po i takojnë, pse po bisedojnë e pse po i marrin në qeverisje?! Sot, i takon dhe i lut për pak pushtet. Për t’u bërë pak Kryeministër! E rriti numrin e ministrive, vetëm për t’i marrë në kabinetin e tij, Premtimi për marrëveshje me parime, u shndërrua në pazare për poste.

E treta, z. Kurti, dhe e gjithë VETËVENDOSJE!, viteve të ekzistencës së saj, asnjë marrëveshje me Serbinë, kurrë nuk i duartrokiti. Në lëvizjen me të vogël dhe në tekstin më të shkurtër, ata folën, reaguan, u bënë aktivë radikalë. Sot, kur një marrëveshje u nënshkrua, ajo e aviacionit, dhe për tjetrën po bisedohet ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, ata i mbyllën veshët, e as nuk  thanë asgjë. Për pak pushtet, z. Kurti, u fsheh.

E katërta, “Pasi që na tradhtoi neve në opozitë  Isa Mustafa, ku ne kishim bërë shumicën parlamentare, ai e bëri edhe tradhtinë e vendit tonë, marrëveshjen me Serbinë.” E keni thënë z. Kurti, në një intervistë në emisionin Opinion në Klan vite më parë. Nuk po më intereson shumë çka keni thënë për bashkëpunëtorin tuaj të tanishëm. Por më shumë, me intereson të dijë nga ju, cili do të jetë hapi juaj në lidhje me atë marrëveshje, siç e keni thënë që përbën tradhti kombëtare?

E pesta, folët shumë për rëndësinë e institucionit më të lartë të Republikës së Kosovës. Për vendin ku jemi tani. Për Kuvendin. Në një letër, që i’a keni dërguar Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, keni thënë se nuk mundeni t’i deligjitimoni institucionet me ujdi monarkësh. Zgjedhja e Konjufcës ishte legale dhe legjitime. Sot, duhet të na thoni se a u ulët si monarkë për largimin e z. Konjufcës? Sot, duhet të na thoni se a është tallje me kuvendin dorëheqja e z. Konjufcës? A e përmbysët vullnetin e 75 deputetëve? Albulena dhe Liburni, munden me u përgjigje, sepse ditë më parë në një televizion thanë se vetëvendosje nuk kthehet në vitin 2019, dhe se vendimi për ta larguar Glaukun është vendim diktatorial dhe arbitrar? Albulenë, ke qenë kryetare e komisionit për legjislacion, të lutem, mundesh me na fol për procedurën dhe moralin në këtë pjesë… A e shkelët vullnetin e deputetëve dhe a e tallët institucionit?

E gjashta dhe e fundit, z. Kurti, do t’i parashtroj disa pyetje publike, të cilat në fund edhe do të t’i dorëzoj zyrtarisht, e për të cilat kisha dashur përgjigje në po këtë seancë:

Sa njohje do t’ia sillni Republikës së Kosovës gjatë vitit të parë dhe sa njohje gjatë mandatit tuaj?

Gjatë qeverisjes tuaj, a do të arrini t’i bindni, 5 shtetet e BE-së që nuk na kanë njohur, që të njohin Republikën e Kosovës?

Cila është strategjia e juaj për njohjen nga Vatikani?

Cka do të bëni në lidhje me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, pra konkretisht me Contour Global?

Cila do te jetë strategjia juaj për anëtarësim në Interpol? Kur do të aplikoni si qeveri për anëtarësim?

A do t’i publikoni të gjitha kontratat e mëdha të qeverisjeve të kaluara?

Sa do të jetë paga minimale dhe a do ta shqyrtoni këtë çështje?