22:37 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Musliu – Shoshi kritikuese ndaj kryeministrit dhe MPJD-s: A keni biseduar me z.Lajçak pas takimit me Chizhov?

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi përmes një postimi ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hotin dhe Ministrinë e Punëve të Jashme dhe Diasporës, shkruan IndeksOnline.

Shoshi ka pyetur të dy palët se a kanë biseduar me Miroslav Lajčák pas takimit të tij me përfaqësuesin e Përhershëm të Rusisë në BE Vladimir Chizhov, ku është diskutuar për çështje rajonale e njëra ndër to edhe për Kosovën.

Deputetja nga PDK-ja tha se “me të drejtë kemi thënë se ulja e Kosovës në takime me Serbinë ku rolin kryesor nuk e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta dobësojnë pozicionin tonë, e sidomos në një proces që udhëhiqet nga Miroslav Lajčák, njeriu i cili vjen nga vendi që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu siç e dimë që z. Lajcak votoi edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”.

Njoftimi:

Sot është zhvilluar takimi ndërmjet Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajcak dhe Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në BE Vladimir Chizhov, ku është diskutuar për çështje rajonale e njëra ndër to edhe për Kosovën.

Në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Chizhov thuhet se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë baza ligjore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, se Serbia nuk është duke hequr dorë nga qëndrimi i saj dhe se nuk do ta njoh Kosovën.

Për këtë arsye, me të drejtë kemi thënë se ulja e Kosovës në takime me Serbinë ku rolin kryesor nuk e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta dobësojnë pozicionin tonë, e sidomos në një proces që udhëhiqet nga Miroslav Lajčák, njeriu i cili vjen nga vendi që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu siç e dimë që z. Lajcak votoi edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Por, sot nuk pati asnjë deklaratë reaguese nga KryeministrI, MPJD, e as nga ata të cilët komunikuan në vazhdimësi përmes telefonit me z.Lajcak.

*Unë do t’i pyesja a kanë komunikuar me z. Lajcak pas këtij takimi?