19:51 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020

Mustafa flet për çështjen e koalicionit dhe thotë që PDK ta tërheqë projektligjin për vlerat e UÇK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa është deklaruar në lidhje me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës.

Në një intervistë për RTK, i pari i partisë që qeverisë vendin, ka thënë se me këtë veprim Serbia ka bërë një provokim.

Ai gjithashtu ka folur rreth mos pajtimeve brenda koalicionit qeverisës rreth dialogut me Serbinë.

Mustafa tha se nuk ka lëkundje në raportet LDK-AAK, por e ka quajtur të domosdoshme mbajtjen e një takimi për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

“Lëkundje nuk ka, por është e domosdoshme që të ulemi të bisedojmë për këto çështje. Pas shërimit të kryeministri Avdullah Hotit, do të takohemi me partnerët e koalicionit për të biseduar për të gjitha çështjet”, është shprehur ai.

Mustafa gjithashtu tha se do të kërkojnë nga Partia Demokratike e Kosovës bashkëpunim sa i përket dialogut me Serbinë.

Teksa ka folur për projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së, i cili pritet të kalojë nesër në lexim të parë në Kuvend, Mustafa tha se do të ishte më mirë që PDK-ja, si iniciuese, ta tërheqë projektligjin në fjalë, pasi sipas tij, ka vërejtjeje dhe paqartësi.

Mos i humb