20:42 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Mustafa: Nisma për shfuqizimin e Speciales, e gabuar

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa njëheresh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë dhënë në emisionin Debat në Radio Televizionin e Kosovës foli për zgjedhjet në Kosovë, kohën kur ka qeverisur me vendin dhe sipas tij, ishte qeverisja më e suksesshme.

Mustafa duke komentuar nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale tha se ishte zhvillim i paparashikuar dhe se LDK ka dhënë qëndrimin e vet.

“Asnjëherë nuk na është thënë se ka iniciativa për shfuqizim të ligjit. Kjo iniciativë ishte e vonshme, pasi tashmë janë caktuar prokurorët, janë ndarë mjetet dhe është caktuar selia. Ishte veprim i nxituar dhe i pa vend…”, ka thënë ai.

Sipas tij, zhvillimi i fundit rreth shfuqizimit të Speciales ishte veprim i pamatura dhe jo i menduar mirë.

Ai tha se nuk është dorëzuar para vandalistëve, të cilët e sulmuan edhe në shtëpinë e tij, duke aluduar këtu në Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa tregoi se në kohën kur ishte i pari i ekzekutivit u sulmua dhunshëm.

“Dy vite e gjysmë kishim sulme shumë të dhunshme që s’i ka përjetuar Kosova asnjëherë brenda sallës së parlamentit, edhe jashtë, edhe në shtëpi private, edhe në familje,….i bojshin këta që sot janë në qeveri dhe opozitë’, kujtoi Mustafa

Ish-kryeministrit Isa Mustafa nuk i vjen keq që nuk e ka përfunduar mandatin e plotë në krye të Qeverisë. Thotë se shumë më mirë po ndihet në pozitën aktuale, si kryetar i LDK-së.

“Përndryshe nuk ankohem fare që s’jam kryeministër sepse po e ndi vetën shumë më mirë kështu”, tha Mustafa për televizionin publik”, theksoi ai.

Në muajin maj të këtij viti qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk i mbijetoi një mocioni mosbesimi. Qeveria e tij u rrëzua me 78 vota. 34 deputetë votuan kundër ndërsa 3 të tjerë abstenuan.

Ai tha se LDK ka dalur partia e parë, duke i kaluar të gjitha partitë politike.