19:34 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

Mustafa: S’ka vdekur ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se pret nga qeveria Kurti që t’i trajtoj me prioritet shqiptarët e luginës.

Në RTK, ai deklaroi se në dialogun Kosovë-Serbi, duhet gjithsesi të jetë temë diskutimi edhe çështja e shqiptarëve të Luginës.

“Në shqiptarët e Luginës nuk duhet të anashkalohemi në procesin e dialogut, zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe përfshirjen e luginës në këtë proces”, deklaroi Mustafa.

Ai tha se nëse bëhet reciprocitet për shqiptarët e Luginës siç kanë serbët në Kosovë, atëherë do të ishte një fitore e madhe.

“Nëse ndodhë kjo, atëherë në Luginë do të kishin kryetar gjykate shqiptar, shef policie, mbi të gjitha do të ishim pjesë kushtetuese e Republikës së Serbisë”, tha Mustafa.

Megjithatë ai u shpreh skeptik se do të pranojë Serbia që do të ndodhë një gjë e tillë.

Mustafa ripërsëriti se bashkimi i Luginës me Kosovën do të ishte zgjidhja më e mirë, dhe për këtë sipas tij ka ende mundësi. Ai u shpreh shumë kritik edhe ndaj kryetarit të Preshevës, Shqipërim Arifi, duke thënë se me veprimet e tij duke refuzuar kërkesat e Këshillit Shqiptar, ai po i trajton në mënyrë jo të duhur shqiptarët.