20:03 / E Premte, 06 Korrik 2018 / indeksADMonline

Mustafa takon kryetarët e degëve: LDK e gatshme ta udhëheqë dialogun ‘pas zgjedhjeve’

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot mbajti takimin me kryetarë të degëve të LDK-së.

Siç njofton LDK, të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale.

Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese.

LDK pra është e gatshme të udhëheqë këtë proces të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e  Kosovës, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

LDK do të punojë në terren për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime”, thuhet në komunikatën e LDK-së.