17:48 / E Hënë, 12 Nëntor 2018 / indeksADMonline

LDK e përkrah maksimalisht procesin e vizave dhe ushtrinë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mbajtur konferencë për media pas mbledhjes që ka pasur me kryetarët e degëve të kësaj partie.

Mustafa, në këtë konferencë ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. I pari i LDK-së ka theksuar se do të vazhdojnë që të kundërshtojnë dukshëm që në bisedimet me Serbinë të negociojë dikush tjetër pa mandat nga legjislativi.

“Ne si LDK kemi konstatuar dhe vazhdojmë të kundërshtojmë se askush nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë pa mandat nga Kuvendi i Kosovës. Kjo çështje duhet të mandatohet nga Kuvendi i Kosovës. Është absurde që të ulësh me Serbinë në dialog përderisa ajo është kundër njohjeve të shteteve që e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Mustafa, përcjellë Indeksonline.

Më tutje, Mustafa ka shtuar se LDK vlerëson se nuk duhet Presidenti serb, Vuçiq të vendos kushte rreth bisedimeve me Kosovën. Sipas tij. është Kosova ajo që duhet të vendos kushte përderisa Serbia vazhdon fushatën e saj kundër njohjeve të shteteve që kanë njohur Kosovën.

Mustafa, më tutje, ka treguar edhe qëndrimin e LDK-së sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, të dyja këto procese do t’i mbështesin maksimalisht.

“LDK do të jetë e përkushtuar me procesin e Projektligjeve në Kuvendin për ndryshimin e mandatit të FSK-së, këtë proces do ta përkrahim  po ashtu edhe procesin e liberalizimit të vizave për këtë iu kemi shkruajtur edhe BE-së që ata t’ua mundësojnë qytetarëve që të lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE-së”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu, i pari i LDK-së thotë se për çështjen e vizave, i kanë shkruajtur edhe kancelares gjermane, Merkelit dhe se  për këtë kanë marr  përgjigje të mirë.

“Ne nuk guxojmë të  fajësojmë BE-në për vizat por duhet t’i sigurojmë shtetet anëtare veç e veç se Kosova do t’i përmbush të gjitha kriteret, luftën kundër korrupsionit, perspektiven e zhvillimit ekonomik. Në këtë aspekt ne maksimalisht do të përkrahim procesin e liberalizimit të vizave”, shtoi Mustafa./Indeksonline/