15:21 / E Shtunë, 21 Nëntor 2020

Myslimanët evropianë janë tashmë evropianë

Nga H.A Hellyer, Politico.eu

Sipas përkufizimit, diçka që është “kundër-produktive”, sjell rezultatin e kundërt me atë që dëshironi të arrini. Ndërsa po reflektoja për thirrjen e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për krijimin e një instituti evropian për të trajnuar imamë, është termi kundër-produktiv, ai që më vinte vazhdimisht në mendje.

Nuk ka asgjë të padëgjuar tek krijimi dhe zhvillimi i institucioneve të tilla fetare. Propozimi ndjek një model ekzistues për komunitetet myslimane në mbarë botën. Kinezët myslimanë i zhvilluan institucionet e tyre, qëkur Islami hodhi rrënjë në Kinë në shekullin VIII-të.

Seminaret e Azisë Juglindore për mësimin islamik në Arkipelagun e Malajas, janë të njohura prej qindra vjetësh për ekspertizën e tyre. Medresetë tradicionale osmane, institutet e Afrikës së Jugut – kudo ku jetojnë myslimanët, kanë krijuar institucionet e tyre të trajnimit.

Mjerisht, ndërhyrja e Michel rrezikon që ta pengojë shumë këtë proces. Mënyra në të cilën po zhvillohet ligjërimi, ka të ngjarë ta vonojë jashtëzakonisht këtë nismë dhe t’i shkaktojë atij dëme ndoshta të pariparueshme. Unë e kam kaluar pjesën më të mirë të 20 viteve të fundit duke studiar komunitetet myslimane evropiane.

Ajo që kam gjetur, krijon një terren të shkëlqyer për të qenë optimistë, por edhe shumë arsye për t’u shqetësuar në lidhje me mënyrën se si ata kanë qenë shpesh të angazhuar. Së pari, optimizmi. Nëse supozimi është se nuk ka përpjekje për integrim brenda komunitetit mysliman të Evropës, unë kam një lajm të mirë.

Përpjekjet ekzistojnë, dhe ato janë krijuar që nga themeli. Ka institucione si Kolegji Mysliman i Kembrixhit në Britani që arsimojnë të diplomuarit nga seminaret ekzistuese Islame, duke u dhënë atyre trajnim shtesë sipas kontekstit të vendit kur jetojnë.

Ata gjithashtu kanë zhvilluar programin e tyre universitar, në njërin prej të cilëve jap mësim edhe vetë. Myslimanët perëndimorë, po e mësojnë në mënyrë të ngjashme fenë e tyre në seminare dhe institucione të shumta në të gjithë Bashkimin Evropian.

Shumë prej tyre, po udhëtojnë për të studiuar më larg; në vende si Turqia, Egjipti, Maroku, Indonezia dhe Jordania. Ata pastaj rikthehen në vendet e tyre, me vetëdijen e plotë se dijet që kanë marrë, kanë nevojë për kontekstualizim. A mund të bëjnë më mirë se sa kaq? Jam i sigurt që po.

Sidomos nëse institucione të tilla, të ndërtuara nga lart-poshtë dhe jo e kundërta, do të kishin akses në fondet arsimore shtetërore, në vend se të mbështeteshin në mbledhjen e fondeve të bamirësisë. Tani, ja cilat janë shkaqet që duhet shqetësuar.

Së pari, kur qeveritë përfshihen në integrimin e tyre, ku shpesh përpjekjet ndëmerren si pjesë e një strategjie më të gjerë kundër-ekstremizmit ose terrorizmit. Ato mund të kenë kuptim për pjesë të caktuara të politikës, por janë krejtësisht kundër-produktive kur bëhet fjalë për komunitetet myslimane që synon nisma në fjalë.

Asnjë komunitet nuk dëshiron të ndiejë se po angazhohet, pasi është një “problem”, që ka ardhur nga “jashtë”. Përkundrazi, ata duan që të njihen si integrale të shoqërisë, pjesë e së cilës janë dhe që t’u jepet ndihmë për të shkëlqyer, dhe jo sepse establishmenti i frikësohet atyre.

Çdo institucion për trajnimin e imamëve, i krijuar në sfondin e “kundërvënies ndaj ekstremizmit”, do të rrezikojë të jetë kundër-produktiv, edhe nëse vetë institucioni është një ide e shkëlqyer në vetvete. Komunitetet nuk do ta shohin atë si qeveri që përpiqet t’i ndihmojnë.

Ata do ta shohin atë si qeveri, që përpiqet t’i integrojë në mënyra që qeveritë nuk duhet t’i bëjnë kurrë, dhe në fakt nuk i bëjnë me komunitetet e tjera, fetare apo të llojve të tjera. Gjëja më e mirë që mund të bëjnë politikanët evropianë për institucione të tilla, është të mos flasin kurrë për to.

Të diplomuarit nga institucione të tilla, mund të kërkojnë favore nga zyrtarëve evropianë – por komunitetet që ata kanë për qëllim të këshillojnë dhe udhëzojnë, nuk do t’i shohin ata si të besueshëm, apo t’i marrin seriozisht.

I gjithë projekti i integrimit në vetvete mund të bëhet i dyshimtë, i lidhur me narrativat e sigurisë dhe kundër-ekstremizmit. Presidenti francez Emmanuel Macron, ngriti kohët e fundit- dhe në mënyrë të gabuar – shqetësime rreth “separatizmit” midis komuniteteve myslimane në vendin e tij.

Krijimi i një instituti të krijuar nga lart-poshtë, mund të na zhvendosë padashur më afër dhe jo më larg, një rezultati të tillë. Historia e Islamit Evropian, nuk është një histori e kohëve të fundit. Ajo daton që 14 shekuj më parë, dhe ka rrënjë në të gjithë Kontinentin.

Epoka aktuale ka sfidat dhe specifikat e veta, por evropianët myslimanë nuk po veprojnë në një terren të panjohur. Ata kanë përvojat e brezave të mëparshëm, qoftë midis komuniteteve myslimane evropiane në Ballkan, pasardhësit e spanjollëve myslimanë që kanë rizbuluar rrënjët e tyre në Andaluzinë Myslimane, komunitetet e konvertuara së fundmi, apo brezat e pasardhësve të emigrantëve gjatë dekadave të fundit.

Që të gjitha këto janë pjesë e asaj historie. Evropianët myslimanë kanë një trashëgimi të pasur nga e cila mund të përfitojnë. Ne duhet të duam që ta inkurajojmë procesin organik të mësimdhënies dhe zbulimit të vazhdueshëm të asaj sfondi, në vend që ta mbytim atë përmes forcimit të masave të sigurisë.

Nëse angazhohemi në një mënyrë të gabuar, do të krijojmë pikërisht atë ndjenjë të margjinalizimit, dhe për pasojë hapësirë për ndikimin e huaj që pretendojmë të duam të shmangim. /abcnews.al