15:40 / E Enjte, 30 Maj 2024 / k.v

“Na kanë hy dajak, na kanë mshel qaty”, dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që përjetuan kur u ndaluan nga paramilitarët serbë

Në gjykimin për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviq, dëshmitarët Nezir Gashi dhe Sejdi Gashi kanë rrëfyer për ndalimin dhe maltretimet e shkaktuara gjatë vitit 1999 nga paramilitarët serbë.

Të dy dëshmitarët thanë se kur ishin dërguar në stacion policor, aty e kishin parë të akuzuarin Gjokoviq me uniformë dhe të armatosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Nezir Gashi deklaroi se kishte qenë i ndaluar nga policia serbe më 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999.

Sipas tij, kishin qenë 44 persona, ndërsa pas natës së tretë kur i kishin dërguar në një shtëpi tjetër, kishin mbetur 12 apo 13 persona.

“Na kanë çu në mënyrën ma brutale për krejt… edhe na kanë çu në një shtëpi private”, shtoi Gashi.

Në atë shtëpi, dëshmitari thotë se i kishin mbajtur deri të nesërmen në mbrëmje duke i rrahur, e më pas i kishin dërguar në burgun e Pejës.

“Aty na kanë majt atë natë deri të nesërmit, apet na kanë marrë qashtu me asifarë ‘Pick-up’, qashtu na kanë shti nëpër kolica edhe qashtu na kanë maltretu, na kanë çu në burg në Pejë, durt e lidhta. Edhe na kanë hy dajak, na kanë mshel qaty, na kanë majt qaty. Përafërsisht 29-30 ditë, për natë ka pas maltretime”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se tek stacioni i policisë e kishte parë të akuzuarin Gjokoviq, kur ushtria serbe po e dërgonin Gashin së bashku me personat e tjerë aty (në stacion të policisë).

Ai thotë se e kishte njohur të akuzuarin edhe para luftës, pasi :kishte punuar në zyrën e vendit” në Ozdrim, por thotë se s’kishte pasur raporte as të mira e as të këqija me të.

Gjithashtu, për 7 majin e vitit 1999, ka deklaruar edhe dëshmitari Sejdi Gashi, në të cilën ditë thotë se u rrethuan nga paramilitarët serbë.

“Më 7 maj jena kanë të rrethum tek shpijat tona, na kanë gjuajt me automatikë”, tha dëshmitari Gashi.

Ai tha se kishin dalë nga shtëpia dhe kishin shkuar tek shtëpia e Nezir Gashit, ku edhe aty kishin hyrë ushtria serbe dhe i kishin ndarë familjarët.

“Na tu nejt në shtëpi të Nezirit në dhomë, janë hi ushtarët e kanë thy derën e na kanë qitë jashtë edhe i kanë nda gratë prej meshkujve, grave ju kanë thanë drejt në Shqipëri. Neve na kanë kontrollu, na kanë marrë”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitari tha se më pas burrat i kishin dërguar në një dyqan pasi i kishin ndarë nga familjarët tjerë, e më pas i kishin dërguar në stacionin e policisë në Pejë, ku aty e kishte parë të akuzuarin Gjokoviq.

Edhe ky dëshmitar, tha se të akuzuarin tha se e kishte njohur edhe para lufte.

Ndryshe, në këtë seancë ishte e paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Ferat Morina, por mbrojtësit e të akuzuarit Gjokoviq, avokatët Mumo Vukotiq dhe Vasilie Arsiq, kërkuan që seanca të ndërpritet me arsyetimin se u kishte dalë një obligim i paparashikueshëm.

Këtë kërkesë nuk e kundërshtoi prokurori Ilir Morina, ndërsa e aprovoi kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.