07:46 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / OSH

Nagavci ndryshon mënyrën e vijimit të vitit shkollor: Me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se viti shkollor do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë), për, siç tha ajo, vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.

Sipas Nagavcit, ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve.

“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tha se udhëzimi i ri administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit, informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuar.