Nagelsmann pranë largimit nga Gjermania, drejtuesit e DFB-së i sugjerojnë dorëheqjen
E ardhmja e Julian Nagelsmann në stolin e Kombëtares së Gjermanisë është vënë seriozisht në pikëpyetje pas dështimit në Kupën e Botës.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, Nagelsmann zhvilloi sot një takim rreth tre orësh në selinë e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) në Frankfurt me presidentin Bernd Neuendorf, Hans-Joachim Watzke, Rudi Völler dhe Andreas Rettig, shkruan Indeksonline
Në takim u analizua eliminimi i hershëm i Gjermanisë nga Kupa e Botës. Fillimisht, Nagelsmann paraqiti këndvështrimin e tij mbi arsyet e dështimit, ndërsa më pas iu përgjigj pyetjeve të drejtuesve lidhur me vendimet taktike gjatë ndeshjeve, si dhe atmosferën e krijuar rreth ekipit në kampin stërvitor në Winston-Salem, e cila është cilësuar nga mediat si një ambient “familjar dhe me miq”.
Në përfundim të takimit, drejtuesit e DFB-së i kanë sugjeruar trajnerit që të shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes vullnetare. Megjithatë, nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.
Raportohet se Nagelsmannit i është lënë kohë për të reflektuar mbi situatën, ndërsa drejtuesit e federatës dëshirojnë t’i ofrojnë një dalje dinjitoze, në mënyrë që ai të largohet “me kokën lart”.
Vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e 39-vjeçarit pritet të merret jo më vonë se fillimi i javës së ardhshme./Indeksonline/

