21:54 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Naim Maloku zbeh gjasat për formimin e ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zgjodhi qe fjalimin e fundvitit ta mbajë në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Përgjatë këtij fjalimi ai tha se Kosova duhet të themelojë ushtrinë në partneritet me NATO-n, shkruan Indeksonline.

Por, ende nuk është parë ndonjë hap konkret për shndërrimin e FSK-së në FAK. Madje, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, koha për shndërrimin e saj ka kaluar në vitin 2013.

“Fati i shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura nuk do të varet më vetëm prej Kosovës dhe dëshirës së disa politikanëve kosovarë. Koha e kalimit dhe e ndryshimit ka kaluar në vitin 2013, kur kanë mundur partitë politike shqiptare me u marrë vesh dhe me e bo atë hap. Ajo shancë është lëshuar, tash fati i Forcave të Armatosura lidhet me fatin e rajonit dhe jo vetëm të Kosovës”, tha Maloku.

Sipas tij, në vitin 2013 edhe deputetët serbë kanë qenë të pajtimit për ndryshime kushtetuese, por partitë shqiptare nuk kanë bashkëpunuar.
“Në vitin 2013 deputetët serb kanë qenë të pajtimit me e dhanë pëlqimin për ndryshimet kushtetuese, me kundërshpërblim që me e vazhdu edhe një mandat me vende të rezervuara në Kuvend të Kosovës. Kjo nuk është arrit falë mosbashkëpunimit të partive politike shqiptare në atë kohë. Këtë dëm ja kanë vërë vetë partitë shqiptare vendit”, shpjegoi Maloku.

Ai ka thënë se edhe ky mandat do të kalojë sikur dy mandatet e kaluara, vetëm me premtime. Kjo për arsye se politikanët nuk kanë tema të tjera për t’iu ofruar qytetarëve.

“Qysh ka ndodhë dy mandatet e kaluara, edhe këtë herë do të përdoret kjo çështje, pasi që nuk kanë politikanët tema me i ofru vendit e qytetarëve, tema zhvillimore e programe. Hala shitet kjo punë, çdo vit e kemi këtë premtim se brenda vitit do të formohet ushtria, e kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen”, përfundoi Maloku./Indeksonline/