23:20 / E Shtunë, 25 Maj 2019 / indeksADMonline

Napoli e mbyll sezonin me humbje, Dzemaili shënon në fitoren e Bolognas

Bologna-Napoli, ndeshje e vlefshme për javën e 38-të dhe të fundit të kampionatit italian, është mbyllur 3-2 në favor të vendasve. Një rezultat që vlen sa për statistikë, duke parë se të dy ekipet nuk luanin për asnjë objektiv. Bologna e ka siguruar para disa javësh mbijetesën, ndërsa Napoli e ka blinduar me kohë vendin e dytë.

Gjithsesi, spektakli nuk ka munguar në ndeshjen e zhvilluar në “Dall’Ara”, në të cilën ka munguar Hysaj, i lënë përsëri në stol nga Ancelotti. Kanë qenë vendasit që kanë zhbllokuar takimin në dy minutat e fundit të pjesës së parë me golat e Santander (43′) dhe Dzemaili (45′).

Reagimi i skuadrës së Ancelotti-t ka ardhur në fillimin e pjesës së dytë. Ghoulam (57′) ka ngushtuar diferencat me një gol që është anuluar fillimisht nga arbitri për pozicion jashtë loje, por që është konfirmuar falë ndërhyrjes së VAR.

20 minuta më mbrapa, miqtë kanë gjetur edhe golin e barazimit me Mertens, që ka ardhur pas një aksioni të bukur të napolitanëve. Kur mendohej se takimi do të mbyllej barazim, Santander (88′) ka realizuar golin e dytë personal dhe të tretin për Bologna-n.