19:15 / E Premte, 06 Nëntor 2020

Narracioni dhe diskursi serb në aktakuzën e Gjykatës Speciale

Shkruan: Jusuf Thaçi

Mjafton një analizë e gjysmë-vëmendshme e aktakuzës së prokurorit të Gjykatës Speciale kundër katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi) për ta konstatuar prezencën e narracionit dhe diskursit serb në këtë dokument, përkatësisht në veprimtarinë e Gjykatës Speciale. Për këtë vijojnë argumentet në vijim, të cilat mund të konfirmohen nga secili duke e lexuar aktakuzën, e cila është e bashkëngjitur në këtë postim (në koment).

Kosovo approves team for talks with Serbia - CGTN

1. Lufta e UÇK-së/shqiptarëve të Kosovës 1998-1999 nuk njihet si luftë, por si konflikt i armatosur (pika 18, 20 dhe 31 e aktakuzës). Për shqiptarët dhe Kosovën kjo ka qenë luftë e jo konflikt i armatosur, prandaj meqë zyrtarisht Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, ajo do të duhej ta njihte këtë si luftë e jo si konflikt të armatosur.

2. Përfshirja e Shqipërisë/shtetit shqiptar si pjesëmarrës ose mundësues i krimeve të pretenduara të UÇK-së (pika 25, 57, 79, 116 dhe 164 e aktakuzës) është tendencë që krimet e pretenduara të marrin dimension të krimeve pan-shqiptare, madje të organizuara ose mundësuara nga strukturat e UÇK-së në Kosovë dhe nga strukturat shtetërore në Shqipëri.

Gjykata Speciale nis arrestimet në Kosovë | Ballkani | DW | 24.09.2020

3. Krimet e pretenduara të UÇK-së nuk konsiderohen si raste të izoluara e sporadike, apo si krime të individëve të caktuar, por konsiderohen si (citoj): “pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik të drejtuar ndaj Kundërshtarëve” (pika 17 e aktakuzës). Jo vetëm kaq, kur pika 17 e aktakuzës lexohet bashkë me pikën vijuese (18), pretendimi i nënkuptuar është edhe më i tmerrshëm. Pasi pika 17 flet për sulmin e përhapur dhe sistematik të UÇK-së të drejtuar ndaj Kundërshtarëve (si veprimtari parësore e UÇK-së), pika 18 vazhdon e tregon që gjatë kësaj periudhe (citoj): “një konflikt i armatosur ekzistonte në mes të UÇK-së dhe Forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe Republikës së Serbisë” (pika 18 e aktakuzës). Pra, sipas aktakuzës, lufta e UÇK-së me forcat serbe e jugosllave del të jetë veprimtari dytësore e UÇK-së, sepse pika 18 e aktakuzës fillon me shprehjen “in addition” (si diçka shtesë nga ajo paraprakja – parësorja – pika 17).

4. Pretendimi se krimet e kryera nga UÇK-ja nuk janë raste të izoluara e sporadike, apo krime të individëve të caktuar, por janë krime të organizatës, madje të mirë-menduara, të planifikuara e sistematike është prezent në gjithë aktakuzën, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë tërthorazi. Kjo vërehet qartë e thuhet drejtpërdrejt në pikën 39 të aktakuzës, sipas së cilës të akuzuarit (citoj): “si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë lëshuar direktiva, udhëzime dhe urdhra në lidhje me Kundërshtarët. Fokusi te Kundërshtarët ngjashëm reflektohej në disa rregulla dhe rregullore të brendshme, në trajnime, dokumente politike dhe broshura informative të hartuara dhe lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm dhe nivelet tjera të komandës së UÇK-së/Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”. Diçka e ngjashme përmendet edhe në pikat 48, 49, 50 dhe 51 të aktakuzës, ku ndër të tjera flitet për “zhvillim, miratim, promovim, përhapje dhe zbatim të planeve, politikave dhe praktikave” që kishin për qëllim kryerjen e krimeve të pretenduara ndaj Kundërshtarëve. Pra, sipas aktakuzës, UÇK-ja paska pasur rregulla, rregullore, trajnime, dokumente politike e plane për të kryer krime ndaj Kundërshtarëve, të cilat qenkan hartuar, miratuar, promovuar e zbatuar nga instancat më të larta të UÇK-së.

Gjykata Speciale, prokurorët dorëzojnë aktakuzat e para | Balkan Insight

5. Aktakuza nuk është aktakuzë ndaj emrave të përveçëm e rasteve individuale, por është aktakuzë ndaj gjithë zinxhirit komandues të UÇK-së dhe UÇK-së si organizatë. Kjo është e qartë në pikën 35 të aktakuzës, në të cilën përveç emrave të përveçëm, për krimet e pretenduara akuzohet si strukturë pothuajse gjithë UÇK-ja, përfshirë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, komandantët e zonave operative, zëvendëskomandantët e zonave operative, eprorët tjerë të komandave të zonave, komandantët e brigadave, komandantët e njësive, policinë ushtarake, eprorët tjerë të UÇK-së dhe ushtarët e UÇK-së. Përveç gjithë zinxhirit strukturor të UÇK-së, aty po akuzohet edhe Qeveria e Përkohshme e Kosovës (pjesa e UÇK-së) si tërësi me të gjithë strukturat e saj. Argument tjetër se nuk po akuzohen individët, por struktura dhe organizata janë pikat 53, 54, 55 dhe 172 të aktakuzës, por edhe gjithë aktakuza në përgjithësi, sepse katër anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm në përgjithësi akuzohen për përgjegjësi komanduese (planifikim, lejim, mos-ndalim, urdhërim, etj. të krimeve të pretenduara) e shumë pak akuzohen për përfshirje personale të drejtpërdrejtë në realizimin e krimeve të pretenduara. Pra, qëllimi është i qartë, kriminalizimi i gjithë kupolës dhe gjithë strukturave të UÇK-së, prej Shtabit të Përgjithshëm e deri te ushtarët e thjeshtë.

6. Për të mos u mjaftuar me ato që u përmendën më sipër, aktakuza ka tendenca të qarta për të përligjë pretendimet se UÇK-ja ka kryer veprime terroriste dhe kjo vërehet qartazi në pikën 21 të aktakuzës, ku prezantohet rezoluta e OKB-së e marsit 1998, e cila (citoj): “i bën thirrje UÇK-së për të dënuar/ndëshkuar veprimet terroriste”. Pra, nën-kuptimi është i qartë: UÇK-ja duhet të ketë qenë duke kryer veprime terroriste, ndaj dhe rezoluta e OKB-së i ka bërë thirrje që t’i ndalojë dhe dënojë këto veprime terroriste. E normalisht, kur aktakuza i referohet rezolutës së OKB-së (sigurisht të mundësuar nga Serbia dhe Rusia në OKB) që e akuzon UÇK-në për veprimtari terroriste, edhe krimet tjera të pretenduara në aktakuzë se janë kryer nga UÇK mund të pranohen si lehtësisht të mundshme.

7. Për dallim prej UÇK-së, në pikën 20 të aktakuzës (por edhe në pika të tjera) krimet e forcave serbe e jugosllave prezantohen si (citoj): “sulme të kryera në Qirez, Likoshan dhe Prekaz”. Pra, këto nuk janë as masakra, as krime, as veprime terroriste, por thjesht sulme.

8. Sulmet e NATO-s janë bashkë-shkaktare të eksodit/shpërnguljes së civilëve shqiptarë nga Kosova, është pretendimi i radhës, i cili prezantohet në pikën 25 të aktakuzës. Sipas kësaj pike (citoj): “më 24 mars 1999 forcat e NATO-s filluan sulmet ajrore kundër caqeve (serbe) në Kosovë dhe Serbi. SI REZULTAT (i kësaj), dhe për shkak të operacioneve në shkallë të gjerë të forcave jugosllave, ushtarët e UÇK-së dhe një numër i madh i civilëve shqiptarë të Kosovës u larguan nga Kosova në Shqipëri”. Pra, sipas aktakuzës, largimi i civilëve nga Kosova fillimisht është “rezultat” i sulmeve ajrore të NATO, e pastaj edhe për shkak të operacioneve ushtarake të forcave jugosllave.

9. E njëjta pikë e aktakuzës (pra pika 25) e ka edhe një pretendim tjetër interesant, të mirë-fshehur. Nëse lexohet me vëmendje pjesa (citoj): ”ushtarët e UÇK-së dhe një numër i madh i civilëve shqiptarë të Kosovës u larguan nga Kosova në Shqipëri”, vërehet qartë pretendimi që UÇK-ja ishte zhdukur nga Kosova gjatë kësaj periudhe, sepse kur fjalia flet për civilët, e thotë qartë se një “numër i madh i tyre” ishin larguar nga Kosova në Shqipëri, ndërsa për ushtarët e UÇK-së flet si tërësi, pa përjashtim, pra të gjithë u larguan nga Kosova në Shqipëri. Për ushtarët e UÇK-së fjalia nuk thotë “pak, disa, shumë, shumica” etj., por thotë “ushtarët e UÇK-së”.

10. E fundit, jo më pak e rëndësishmja, është mënyra se si aktakuza e definon dhe e përcakton kategorinë/termin “Kundërshtarët” (Opponents). Në kuadër të “kundërshtarëve” të UÇK-së, ndaj të cilëve UÇK paska kryer krime, aktakuza grupon e përfshinë së bashku: bashkëpunëtorët e forcave serbe e jugosllave, zyrtarët e institucioneve të dhunshme shtetërore në Kosovë, pjesëtarët e etnisë serbe, pjesëtarët e etnisë rome, pjesëtarët e etnive dhe përkatësive të tjera, mos-përkrahësit e UÇK-së, pjesëtarët e LDK-së, pjesëtarët e FARK-ut, etj.. Me këtë definim e përcaktim të “kundërshtarëve” të UÇK-së, aktakuza po thotë qartë se UÇK ka qenë kundër të gjithëve, ose kundër shumicës, dhe ndaj të gjithëve ose ndaj shumicës ka kryer krime. Pra, sipas aktakuzës, Kosova dhe banorët e saj gjatë periudhës 1998-1999 paskan qenë në zor e të përndjekur nga UÇK-ja, jo nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe e jugosllave.

Si përfundim, kjo aktakuzë e prokurorit të Gjykatës Speciale shumë më shumë i ngjan një pamfleti politik anti-shqiptar të Serbisë, se sa një aktakuze që ka për qëllim ndriçimin e të vërtetës. Ky fakt nuk do të ishte kaq tragjik sikur kjo aktakuzë të ishte hartuar nga ndonjë prokuror i prokurorisë/gjyqësisë së Serbisë, por kur kujtesa ta sjellë në vëmendje se kjo aktakuzë është hartuar nga një prokuror i një prokurorie/gjyqësie të Republikës së Kosovës, atëherë ky fakt, përveç se tragjik, bëhet epitaf i luftës së drejtë të UÇK-së dhe shqiptarëve të Kosovës!

Prishtinë, më

6 nëntor 2020