17:25 / E Martë, 24 Maj 2022 / OSH

NATO: Ka mbështetje të gjerë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë

Vendet anëtare të NATO-s e mbështesin gjerësisht anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë brenda aleancës, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai ka thënë se beson që NATO-ja do të gjejë një zgjidhje për shqetësimet turke në lidhje me ofertën e anëtarësimit të dy vendeve.

“Kur një aleat është i shqetësuar, ne bëjmë si gjithmonë në NATO – ulemi dhe kërkojmë një zgjidhje. Normalisht ne gjejmë zgjidhje dhe kam besim se do ta gjejmë edhe në këtë rast”, ka thënë ai, raportoi CNN-i.

Stoltenbergu ka thënë se është e rëndësishme që vendet anëtare të pranojnë se Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe kyç në luftën kundër ISIS-it në Irak dhe Siri, por edhe në çështjen e Rusisë në Detin e Zi.

Për t’i dhënë dritën e gjelbër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, do të duhej të kishte një marrëveshje nga 30 aleatët aktualë të kësaj organizate.

Turqia ka thënë se nuk do ta mbështesë bashkimin e tyre nëse nuk plotësohen disa kërkesa.vvvvvv