11:56 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

NATO mbështetje të madhe për Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim zëvendësndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jonathan Parish.

Haradinaj ka njoftuar  Parish me situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën euroatlantike, në të njëjtën kohë ka falënderuar NATO-n dhe trupat e KFOR-it për mbështetjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

Kryeministri Haradinaj theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në Kosovë, si dhe avancimin e bashkëpunimit për rritjen e profesionalizmit të institucioneve të sigurisë, veçmas atyre të FSK-së.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, multietnike  dhe e cila në të ardhmen do të jetë aleat i besueshëm përkrah miqve tanë euroatlantik”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të NATO-s në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së.

Ndërsa, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jonathan Parish, tha se NATO përmes KFOR-it do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë, duke shprehur përkushtimin për bashkëpunim edhe në të ardhmen.